Maqedoni

Komuna e Tetovës, drejt zgjidhjes së emrave të rrugëve

12.04.2026 15:00

Problemi dekadësh me emrat e rrugëve në qytetin e Tetovës...

Problemi dekadësh me emrat e rrugëve në qytetin e Tetovës pritet që të marrë epilog përfundimtar pas disa muajsh, kështu ka deklaruar i pari i Tetovës, Bilall Kasami, i cili njofton se bëhet fjalë për mbi 300 rrugë dhe mbi 1000 propozime që po i shqyrton komisioni i formuar për çështjen e riemërimit të emrave të rrugëve.
 
Kasami thotë se presioni publik rreth kësaj problematike është i madh dhe se komisioni po punon me kujdes të shtuar dhe çdo vendim do të merret në suaza të ligjit.
 
“Edhe përkundër presionit të opinionit, ne jemi duke ecur rreth kësaj problematike, pasi edhe një herë për 30 vite nuk është ndërmarrë asgjë, edhe atëherë kur është ndërmarrë, është ndërmarrë fatkeqësisht jo deri në fund me konsultimin me ligjin dhe faktorët politikë. Prandaj ne, edhe përkundër presionit, Tetova të ketë emra të rrugëve, të ketë numra të shtëpive dhe banesave. Unë besoj se në fund i gjithë procesi do të jetë në bazë të ligjit dhe sigurisht me pëlqime paraprake nga të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces”, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Sipas Kasamit, komisioni për emërimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë do të japë vetëm pëlqim. Ndërkohë këshilltarët komunalë do të vendosin pro ose kundër kësaj ideje, por Kasami thotë se komuna është duke respektuar çdo procedurë ligjore.
 
“Komisioni do të japë pëlqim para Këshillit dhe Këshilli do të jetë ai që sjell vendim përfundimtar. Nëse shumica e këshillit do të pranojnë këtë propozim dhe është proces konform ligjit, Këshilli do të sjellë vendim, pastaj duhet Qeveria dhe është procedurë që ne do ta respektojmë deri në fund”, theksoi Kasami.
 
Përndryshe, emrat ekzistues të rrugëve nuk pritet që të pësojnë ndryshime, por do të emërohen rrugët që nuk kanë emra, pra janë me numra ose nuk kanë numra fare. Kjo me qëllim zgjidhjen e kaosit dhe konfuzionit që krijon mungesa e emrave të rrugëve dhe numrave të shtëpive.
 
Propozimi i komisionit në fund duhet të kalojë në Këshillin e Komunës së Tetovës me shumicë votash, ku patjetër duhen edhe votat e partive maqedonase në këtë rast VMRO-DPMNE-së. Komisioni nuk përfshin edhe emrat e institucioneve arsimore, siç janë shkollat fillore dhe të mesme.
 
VISAR SADIKI