Maqedoni
Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët, urojnë krerët shtetërorë dhe politikanët
12.04.2026 15:44
Me rastin e festës së madhe të shenjtë fetare krishtere, Ngjalljen e Krishtit – Pashkët...

Me rastin e festës së madhe të shenjtë fetare krishtere, Ngjalljen e Krishtit – Pashkët, kanë vijuar urimet nga krerët shtetëror, me dëshirën për një jetë më të mirë të shoqërisë. Përmes sakrificës, përulësisë dhe dashurisë, njeriu ngrihet dhe afrohet drejt hyjnores, ka uruar shefja e shtetit, Siljanovska Davkova e cila fton në zgjimin e frymës së bashkimit.
“Në kohë trazirash të vështira shoqërore, sprovash të mëdha dhe sfidash të forta morale, duhet të qëndrojmë të palëkundur në virtyte, të bashkuar rreth vlerave të humanizmit, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë. Le t’i hapim zemrat për të afërmit, të forcojmë kujdesin për më të ndjeshmit dhe të zgjojmë frymën e bashkësisë dhe unitetit”, deklaroi kryetarja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova.
Pashkët nuk janë vetëm festë e besimit, por edhe simbol i shpresës, ripërtëritjes dhe fitores së jetës mbi sfidat, shkruan kryeministri, Hristijan Mickoski, duke shtuar se mirkuptimi i ndërsjellë shoqëror shpie në shtet të qëndrueshëm.
“Jam i vetëdijshëm se ka pasiguri dhe sfida, por përcaktimi ynë është i qartë: të vazhdojmë me politika të përgjegjshme, të forcojmë ekonominë, të mbrojmë standardin e jetesës dhe të krijojmë një të ardhme të sigurt për të gjithë. Në frymën e kësaj feste të madhe, dua të dërgoj një mesazh uniteti. Vetëm së bashku, me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, mund ta ndërtojmë shtetin që e meritojmë të qëndrueshëm, të drejtë dhe të përparuar”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Ka uruar edhe kryeparlamentari, Afrim Gashi, me dëshirën që festa të sjellë mesazhe shprese, paqeje, ripërtëritjeje shpirtërore dhe besiminë të mirën.
“Në ditët kur festohen dashuria, bashkimi dhe respekti i ndërsjellë, edhe më fuqishëm kujtojmë vlerat që na lidhin dhe na inkurajojnë të ndërtojmë një shoqëri të mbushur me mirëkuptim, solidaritet dhe humanizëm. Uroj që ditët festive të sjellin shëndet, gëzim, qetësi dhe mirëqenie në çdo shtëpi. Le të sjellë drita e Pashkëve paqe në zemrat dhe shpresë për ditë më të mira për të gjithë” theksoi kryetari i parlamentit Afrim Gashi.
Urime për Pashkët nuk kanë munguar as nga kryetarët e partive, personalitetet politike, funksionarë dhe figura të larta shtetërore, të cilët, në këtë festë kanë dalë me dëshira të unifikuara për të mirën, paqen dhe solidaritetin e përbashkët shoqëror e shtetëror.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
