Botë
Lindja e Mesme, SHBA dhe Irani nuk arritën marrëveshje
12.04.2026 16:50
Nuk ka marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit – përpjekjet diplomatike...

Nuk ka marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit – përpjekjet diplomatike në Islamabad dështuan. Pas bisedimeve maratonë, të dyja palët nuk arritën të kapërcejnë dallimet rreth çështjeve të diskutueshme, ndër të cilat programi bërthamor, Ngushtica e Hormuzit, asetet iraniane të ngrira dhe armëpushimi në Liban. Uashingtoni, duke e vlerësuar ofertën e tij si “të fundit dhe më të mirën”, pretendon se Teherani nuk i ka pranuar kushtet dhe nuk heq dorë nga ambiciet bërthamore.
“Lajmi i keq është se nuk arritëm marrëveshje dhe mendoj se kjo është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për ne. Ne e bëmë shumë të qartë se cilat janë vijat tona të kuqe dhe për çfarë jemi të gatshëm të përshtatemi e për çfarë jo. Ata zgjodhën të mos i pranojnë. Kjo është oferta jonë përfundimtare dhe më e mira. Tani pyetja është nëse iranianët do ta pranojnë, sepse qëllimi bazë është i qartë: të mos ketë zhvillim të armëve bërthamore”, deklaroi nënpresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens.
Delegacioni iranian, nga ana tjetër, theksoi se mosmarrëveshjet rreth “dy-tre” çështjeve kyçe e bllokuan marrëveshjen dhe se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë “mosbesimi”.
“Për disa çështje në fakt arritëm mirëkuptim të ndërsjellë, por kishte një hendek rreth dy ose tre çështjeve të rëndësishme dhe në fund bisedimet nuk rezultuan me marrëveshje. Këtë herë u shtuan disa tema të reja në bisedime, përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe rajonin. Këto çështje kanë kushtet dhe kërkesat e tyre specifike”, u shpreh zëdhënës i ministrisë së jashtme të Iranit, Esmail Bagaei.
Dështimi nga Islamabadi e vë në pikëpyetje armëpushimin dhe rihapjen e ngushticës. Pakistani u bëri thirrje të dyja palëve të respektojnë armëpushimin dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm.
“Shpresojmë që të dyja palët të vazhdojnë me një frymë pozitive për të arritur paqe të qëndrueshme dhe prosperitet për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Është thelbësore që palët të vazhdojnë të respektojnë angazhimin e tyre për armëpushimin. Pakistani ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e tij në lehtësimin e angazhimit dhe dialogut mes Republikës Islamike të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ditët në vijim”, theksoi zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Pakistanit, Muhamed Ishak Dar.
Ndërkohë, Izraeli, i cili nuk mori pjesë në negociata, theksoi gatishmërinë e tij për të vazhduar veprimet ushtarake kundër Teheranit, duke vijuar sulmet vdekjeprurëse në jug të Libanit.
Të dyja vendet pritet të zhvillojnë bisedime të tyre në Uashington javën e ardhshme, me synim çarmatimin e Hezbollahut dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
VLORA LATIFI TOPOJANI
