Botë

Tmerr në Francë, 9-vjeçari gjendet brenda një furgoni

12.04.2026 17:34

Një ngjarje tronditëse është zbuluar në lindje të Francës...

Një ngjarje tronditëse është zbuluar në lindje të Francës, ku një fëmijë 9-vjeçar u gjet i izoluar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore brenda një furgoni.
 
Pas ndërhyrjes, policia hapi me forcë furgonin dhe brenda tij gjeti një skenë alarmante: fëmija ishte i shtrirë në pozicion fetal, pa rroba, i mbuluar vetëm me një batanije dhe i rrethuar nga mbeturina dhe jashtëqitje. Gjendja e tij ishte e rëndë, ndërsa për shkak të qëndrimit të gjatë në të njëjtin pozicion, ai kishte vështirësi edhe në lëvizje.
 
Hetimet zbuluan se djali mbahej në furgon që prej nëntorit 2024. Babai i tij, 43 vjeç, u justifikua para autoriteteve se kishte vepruar për ta “mbrojtur” nga partnerja e tij, e cila, sipas tij, kërkonte ta dërgonte fëmijën për trajtim psikiatrik.
 
Familja jetonte në një apartament së bashku me dy vajza të tjera, 12 dhe 10 vjeç. Babai pretendoi se partnerja e tij nuk kishte dijeni për situatën, megjithatë autoritetet kanë ngritur akuza ndaj të dyve.
 
Ai përballet me akuzat për rrëmbim dhe mbajtje të paligjshme të një të mituri, si dhe për neglizhencë të rëndë ndaj shëndetit të tij, ndërsa është lënë në paraburgim. Partnerja e tij akuzohet për mosndërhyrje dhe mosdenoncim të abuzimit, por është lënë në gjendje të lirë me kushte.
 
Të tre fëmijët janë vendosur në kujdes të përkohshëm, ndërsa pritet vendimi i autoriteteve për fatin e tyre.