Bashkësia Hebraike në Maqedoni njofton: U tentua t’i vihet zjarri një sinagoge në Shkup

13.04.2026 15:07

Bashkësia Hebraike në Maqedoni...

Bashkësia Hebraike në Maqedoni raportoi për një përpjekje për t’i vënë flakën një ndërtese të Bashkësisë dhe sinagogës në rrugën “Apostol Guslarot” në Shkup. Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, oficerët e policisë shkuan në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Bashkësia Hebraike në Maqedoni e dënoi këtë akt dhe u bëri thirrje autoriteteve kompetente për sqarim të plotë të rastit dhe zbatim konsistent të ligjeve, si dhe për një dënim të fuqishëm dhe të bashkuar nga të gjithë udhëheqësit fetarë, institucionet dhe qytetarët.

“Ky është mosdurim fetar, kjo është bartje e situatave konfliktuoze dhe përplasje në një vend, siç është Maqedonia, ku asnjëherë nuk kishte probleme me antisemitizmin dhe me urrejtjen ndaj hebrenjve. Apeloj te shumë njerëz, kemi përkrahje nga të gjitha bashkësitë fetare, edhe nga Bashkësia Islame, edhe nga ajo katolike, nga ajo ortodokse dhe metodistët. Dua të them se gjuha e urrejtjes patjetër të ulet edhe nga ana e partive tona politike që janë pjesë e Kuvendit. Mjaft më me ofendimet, mjaft me përmendjen e Hitlerit, mjaft me ndezjen e urrejtjes ndërmjet njerëzve.”, - deklaroi kryetari i Komunitetit Hebraik në Maqedoni, Pepo Levi.                      

Incidentin e ka dënuar edhe ambasadorja izraelite Vivien Aisen, e cila u bëri thirrje autoriteteve që t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. 

“Një incident thellësisht shqetësues antisemit në Maqedoninë e Veriut, i pari që nga viti 1945, godet vetë vlerat e bashkëjetesës që komuniteti hebre i vlerëson. Unë mbështes komunitetin dhe u bëj thirrje autoriteteve të vendit të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.”, thekson ambasadorja Eisen, e cila gjithashtu publikoi një video ku shihen dy persona që kërcejnë mbi një gardh dhe i afrohen hyrjes së ndërtesës. Më pas ata spërkasin lëng të ndezshëm, pastaj hedhin një pishtar dhe ndezin zjarr. (Fitore Nagavci, TVM2)