Zgjedhjet në Hungari, partitë në RMV me qëndrime të ndara
Pas humbjes në zgjedhje të Viktor Orbanit në Hungari...

Pas humbjes në zgjedhje të Viktor Orbanit në Hungari, partitë politike kanë dalë me qëndrimet e tyre.
LSDM: Rezultati në Hungari, fundi i autokracisë
LSDM vlerëson se qytetarët kanë zgjedhur kursin evropian në vend të autokracisë dhe se VMRO-DPMNE po mbetet pa aleatin e saj në BE për të cilën shpresojnë që të hapen çështje për lidhjet mes Orbanit dhe Mickoskit.
“Pas 16 vitesh qeverisjeje të Viktor Orbanit, regjimi i tij jodemokratik ra. Organizata kriminale VMRO mbetet pa aleatin e saj të vetëm në Bashkimin Evropian. Nuk ka më fshehje të Nikolla Gruevskit në Budapest, kombinime të fshehta biznesi, as para kineze që vinin përmes atij regjimi. Po bien regjimet autokratike. I radhës është Aleksandar Vuqiç, e bashkë me të edhe Hristijan Mickoski. Rajoni i përket Evropës, e jo Rusisë.”, - thanë nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Filipçe, distancohu nga krimet e Zaevit
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i është drejtuar LSDM-së dhe kreut të saj, Venko Filipçe, që më pak të shqetësohen për zgjedhjet në shtetet tjera dhe të distancohen nga Zaevi.
“Filipçe, distancohu nga krimet e Zaevit, përvish mëngët dhe ngrije në këmbë LSDM-në, të cilën e çoi në prag të zhdukjes. Për momentin, nuk e ke luksin të humbësh kohë me zgjedhje në shtete të tjera.”, - thanë nga VMRO-DPMNE.
Zgjedhjet në Hungari, E Majta: Ndryshim brenda të njëjtës rrymë
Edhe E Majta e kritikoi festimin e LSDM-së për rezultatin e zgjedhjeve në Hungari.
“Kjo është njësoj si të festosh ‘rënien e Grujos’ me ardhjen e Micit!? E kuptoni tani? Një figurë nga e njëjta parti, një konservator neoliberal, e mposht ish-mentorin e tij. Çfarë ka këtu për të festuar për të majtët, nuk e di, përveç ndoshta faktit që do të ndërpriten paratë për TV Alfa, për Zlatevët, Latasët, Milenkovët dhe të tjerë korrierë të regjimit hibrid!?”, - shkruan kryetari i Së Majtës, Apasiev.
Qoku: Humbja e Orbanit është fitore për demokracinë
Deputeti koalicionit VLEN, Bekim Qoku, në rrjetet sociale është shprehur se humbja e Orbanit është fitore për demokracinë.
“Humbja e Viktor Orbanit në Hungari është një lajm i mirë për demokracinë dhe për forcat progresiste në Bashkimin Evropian dhe në Evropë në tërësi. Ajo dëshmon se edhe regjimet që duken të konsoliduara mund të sfidohen dhe të mposhten përmes vullnetit qytetar. Njëkohësisht, ky është një lajm i keq për regjimet autoritare, të cilat gjithnjë e më shumë funksionojnë në bazë të solidaritetit të ndërsjellë, përtej dallimeve ideologjike.”, - shkruan Qoku.
Osmani: Ra regjimi antievropian në Budapest
Edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka shkruar në rrjetet sociale.
“Ra regjimi antievropian në Budapest. Me këmbë të lehtë…”, shkruan Osmani.
Lëvizja “E di”: Marrëdhëniet Maqedoni - Hungari do të forcohen
Nga ana tjetër edhe Lëvizja “E di” me një urim për Maxharin për fitoren ndaj Orbanit.
“Në emër të Lëvizjes “E di për Maqedoninë Tonë”, dërgojmë urime të sinqerta zotit Petar Maxhar për besimin e treguar nga qytetarët, si dhe për partinë TISA për rezultatin e arritur në zgjedhje. Jemi të bindur se marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Hungarisë do të vazhdojnë të zhvillohen me intensitet të shtuar, si dhe do të avancohen në një nivel edhe më të lartë.”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes “E di”.
Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare Zgjedhore të Hungarisë, pas numërimit të 98.94% të votave, opozitarja TISA e Peter Maxhar ka fituar 138 mandate, partia në pushtet Fidesz e Viktor Obran ka fituar 55 mandate, ndërsa e djathta ekstreme Mi Hazank mori 6 mandate.
Në parlamentin hungarez duhet të hyjnë gjithsej 199 deputetë, që do të thotë se TISA ka siguruar shumicë prej dy të tretash. (Armend Murseli, TVM2)
