Disa rrugë në Tetovë të papërfunduara, Kasami: Do të përfundojnë sipas dinamikës

13.04.2026 16:25

Më shumë se dy vite kanë kaluar që kur nisën punimet...

Më shumë se dy vite kanë kaluar që kur nisën punimet për ndërtimin e një pjese të rrugës “Boris Kidriq” në Tetovë, por ky projekt ende nuk ka përfunduar. Zvarritja e punimeve u shkakton vështirësi qytetarëve në qarkullim.

Nga Komuna e Tetovës thonë se shumë shpejt pritet të rinisin punimet për pjesën qendrore të bulevardit dhe për shtegun e këmbësorëve. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se projekti pritet të përfundojë gjatë verës dhe se kjo pjesë e bulevardit do të vihet në shërbim të qytetarëve.

“Aty besoj shpejt do të nisin punimet për shtegun e këmbësorëve apo për pjesën qendrore të bulevardit dhe besoj se brenda verës edhe ajo pjesë e bulevardit “Boris Kidriq” do të jetë në shërbim të qytetarëve.”, - theksoi kreu i Tetovës, Bilall Kasami.

Përveç kësaj rruge, në Tetovë ka edhe projekte të tjera infrastrukturore që ende presin përfundimin. Sipas Kasamit, një pjesë e tyre realizohen nga Ministra e Transportit. Ai veçoi rrugën e Shtipit ku tha se dinamika e punimeve shkon ngadalë dhe se komuna nuk ka mundësi për reagim.

“Projektet që kanë filluar, pjesa më e madhe janë në kuadër të marrëveshjes për realizim. Këtu fatkeqësisht nuk është duke shkuar në bazë të marrëveshjes rruga e Shtipit, e cila realizohet nga Ministria e Transportit, ku komuna nuk është që ka ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në përshpejtimin e dinamikës. Pjesa tjetër e projekteve janë duke u realizuar në bazë të marrëveshjeve dhe kontratës.”, - deklaroi kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërhyrje të shpejtë presin edhe shumë rrugë dytësore në qytet, të cilat u gërryen para zgjedhjeve dhe kanë mbetur në të njëjtën gjendje. Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se në të gjitha këto rrugë do të intervenohet sipas planit të paraparë. (Visar Sadiku, TVM2)