Epokë e re politike në Hungari, pas 16 vitesh në pushtet, Orban humbi zgjedhjet
Hungaria ka hyrë në një epokë të re politike...

Hungaria ka hyrë në një epokë të re politike, pas zgjedhjeve të fundit që shënuan një kthesë historike në skenën politike të vendit. Me fitoren e Piter Maxhar dhe Lëvizjes “Tisa”, Viktor Orban dhe partia e tij Fides, pas 16 vitesh në pushtet, kalojnë në opozitë.
Piter Maxhar e cilësoi këtë si një moment të ri për vendin, duke paralajmëruar se pas formimit të Qeverisë do të ndërmerren reforma rrënjësore në drejtësi, media dhe në raportet me Bashkimin Evropian, me synimin për rikthimin e Hungarisë në kursin evropian.
“Tisa dhe Hungaria fituan në këto zgjedhje. Arritëm një fitore shumë, shumë të madhe. Së bashku e ndryshuam regjimin e Orbanit, së bashku e çliruam Hungarinë dhe e rikthyem atdheun tonë.”, - deklaroi fituesi i zgjedhjeve, Pete Magyar.
Kryeministri i deritanishëm, Viktor Orban, pranoi humbjen dhe ia uroi fitoren ish-bashkëpunëtorit të tij, duke theksuar se rezultatet e zgjedhjeve janë të qarta.
“Rezultatet janë të dhimbshme për ne, por të qarta. Mundësia dhe përgjegjësia për të qeverisur nuk na u besua. Asnjëherë më parë nuk kemi punuar kaq shumë sa në këtë fushatë dhe dëshmi është fakti se morëm dy milionë e gjysmë vota.”, - theksoi ish-kryeministri, Viktor Orban.
Zgjedhjet në Hungari u ndoqën me interes global dhe fitorja e Magyar pritet të ketë ndikim të madh në zhvillimet politike në Bashkimin Evropian.
“Pres që të orientohemi drejt Evropës dhe Ukrainës.”, - tha një qytetar.
“Më në fund nuk do të bëjmë aleanca me Rusinë, por do të mbështesim Bashkimin Evropian. Do të kemi vlera evropiane, demokraci dhe sundim të ligjit.”, - tha një qytetar tjetër.
“Presim të rilidhemi me Evropën dhe partnerët ndërkombëtarë.”, - u shpreh një qytetar.
Hungaria zgjodhi Evropën dhe u kthye në rrugën e duhur, theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. Me doza të larta humori, kryeministri i Polonisë ishte ndër të parët që ia uroi Maxharit fitoren.
“Përshëndetje Peter, jam vërtet shumë i lumtur. Mendoj se jam edhe më i lumtur se ti.”, - u shpreh kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
Fitorja e Maxharit pritet të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Budapestit, të cilat ishin mjaft të tensionuara gjatë periudhës së fundit të qeverisjes së Orbanit.
Bashkimi Evropian u detyrua të vendosë sanksione financiare dhe gjoba ditore ndaj Hungarisë për refuzimin e pranimit të shpërndarjes së migrantëve. Nga ana tjetër, Orbani pati bllokuar disa vendime të unionit, si për shembull ndihmën financiare për Ukrainën. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
