Konflikti në Lindjen e Mesme, bllokadë amerikane ndaj porteve iraniane
Armëpushimi në Iran cilësohet si “i qëndrueshëm” nga Uashingtoni...

Armëpushimi në Iran cilësohet si “i qëndrueshëm” nga Uashingtoni, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj Teheranit pas dështimit të negociatave në Islamabad.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka urdhëruar bllokadë ndaj porteve iraniane, pas refuzimit të Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj çdo sulmi mbi anijet dhe kufizim të lëvizjes së mjeteve që paguajnë tarifa tranziti për Iranin.
Ai përsëriti qëndrimin se ShBA-ja nuk do të lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore.
“Gjatë kësaj kohe do të marrim masa për të mbrojtur interesat tona dhe sigurinë energjetike. Bllokada hyn në fuqi. Shtete të tjera punojnë që Irani të mos shesë naftë dhe kjo do të jetë shumë efektive.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masud Pezeshkian tha se ShBA-ja përdor standarde të dyfishta. Teherani theksoi se nuk do të dorëzohet ndaj kërcënimeve, duke i quajtur deklaratat e Trampit “tipike për një president të dështuar”.
“Trampi shpreh dëshirat dhe kërkesat e tij që nuk janë realizuar dhe nuk do të realizohen. Kërcënimet e tij janë normale për një president të dështuar.”, - theksoi një zyrtar iranian.
BE-u shpreh kundër mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se kjo dëmton rëndë tregjet globale dhe sigurinë energjetike. Edhe kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, tha se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet “e hapur, jo e mbyllur” dhe se Mbretëria nuk mbështet asnjë bllokadë të saj. Kremlini mban të njëjtat qëndrime me vendet e BE-së.
“Vazhdimi i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit po shkakton dëme të mëdha dhe rikthimi i lirisë së lundrimit është me rëndësi të jashtëzakonshme për ne. Kjo tregon ndikimin e madh që kjo krizë ka në ekonominë tonë. Edhe nëse armiqësitë ndalen menjëherë, ndërprerja e furnizimeve me energji nga Gjiri do të vazhdojë edhe për një kohë.”, - u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
“Me shumë gjasë, veprime të tilla do të vazhdojnë të ndikojnë negativisht në tregjet ndërkombëtare. Kjo mund të supozohet me një shkallë të lartë besueshmërie, por këtu mbeten ende shumë detaje të paqarta dhe të panjohura, prandaj do të përmbahesha nga dhënia e ndonjë komenti thelbësor për momentin.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Revolucioni i Gardës Islamike paralajmëroi se asnjë port në Gjirin Persik apo të Omanit nuk do të jetë i sigurt nëse portet e tyre rrezikohen, ndërsa çdo anije luftarake që afrohet do të përballet me masa të ashpra.
Mediat iraniane raportuan edhe një incident të pretenduar mes marinës së Gardës dhe një shkatërruesi amerikan pranë Ngushticës së Hormuzit, pas së cilës anija amerikane ndryshoi kursin.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban, pavarësisht takimit të nesërm në Uashington për bisedime paqeje dhe çarmatimin e Hezbollahut. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
