Rritja e çmimeve, Qeveria nesër do të vendosë për masa eventuale

13.04.2026 18:26

Ditëve të fundit ka pasur rritje të çmimit të disa produkteve bazë...

Ditëve të fundit ka pasur rritje të çmimit të disa produkteve bazë, si buka, vaji, sheqeri dhe vezët. Kjo është konstatuar edhe nga Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Inspektorati i Tregut.

Ndërsa nga Ministria e Ekonomisë thonë se ndikim më të madh në rritjen e çmimeve të produkteve ka rritja e çmimit të derivateve të naftës.

Nga Qeveria kanë paralajmëruar se në seancën e së martës do të vendosin nëse do të sjellin masa që do të ndikonin në uljen e çmimeve, si kufizimi i marzhës së fitimit apo ulja e TVSh-së për produktet bazë.

“Vaji dhe sheqeri janë produkte të berzës, nuk varen nga ne, varen nga berzat botërore, prandaj ishte e arsyeshme rritja e çmimeve. Ndërsa për vezët kanë ndikuar më tepër faktorë, pasi kishte kërkesë të shtuar për festat e pashkëve, prandaj rritjen e ka bërë vet ekonomia e tregut, por edhe eksporti i vezëve për shkak të çmimeve më të larta në vendet fqinje. Në produktet tjera nuk kishte lëvizje më të theksuara. Qeveria ka obliguar Inspektoratin e Tregut që të martën të dorëzojë informacionet e reja dhe nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe punës t’i dërgojmë Qeverisë analizë dhe vendimet më pas varen nga Qeveria dhe kryeministri.”, theksojnë nga Ministria e Ekonomisë. 

Nga Enti i Statistikës kanë bërë të ditur se inflacioni në muajin mars ka arritur në 4.9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Janë rritur edhe çmimet me pakicë për 3.4 për qind. Shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike janë rritur për 7.5 për qind. Krahasuar me muajin shkurt, kostot e jetesës janë më të larta për 0.7%.

Statistikat tregojnë se në mars, krahasuar me një vit më parë, rritja më e madhe te ushqimet është te frutat me 12.7 për qind. Qumështi, vezët dhe produktet e qumështit janë shtrenjtuar për 8 për qind, ndërsa vajrat dhe yndyrat për rreth 7 për qind. Kafeja ka shënuar rritje të madhe prej 25 për qind. Ekspertët ekonomikë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se inflacioni mund të vazhdojë të rritet nga kriza në Lindjen e Mesme. (Florije Kamberi, TVM2)