Ngecja në procesin eurointegrues, Neziri: Qeveria krijon ngjarje, Brukseli po defokusohet

13.04.2026 19:04

Në mungesë të përparimit në procesin eurointegrues....

Në mungesë të përparimit në procesin eurointegrues, Qeveria krijon ngjarje ose fokuson vëmendjen e saj dhe të opinionit publik në çështje tjera të brendshme, siç po ndodhin retorikat për ligjet, debatet për implementimin e ligjeve për përdorimin e gjuhëve, e me radhë, thotë analisti politik, Xhelal Neziri. Sipas tij, ekzekutivi e bën këtë lojë, me qëllim largimin nga çështja substanciale për vendin tonë, siç është integrimi në Bashkimin Evropian.

Neziri është i mendimit se përfshirja e vendit në familjen evropiane do të mbyllte portën për shumicën e problemeve brenda shtetërore.

“Ky integrim është përgjigje për të gjitha problemet që i debatojmë ne në rrafshin e brendshëm, edhe në kuptimin e zbatimit të ligjit, edhe në kuptimin e barazisë, individuale dhe kolektive, pra për të gjitha këto probleme, procesi integrues ka, do të thoja, ilaçet e veta. Ka ilaçe për shkak se nëpërmjet procesit të negociatave, vendi bëhet më i drejtë, administrata bëhet më efikase, gjyqësori më efikas, pra i gjithë sistemi politik fillon të funksionojë ngjashëm me ato të vendeve evropiane.”, - deklaroi analisti politik, Xhelal Neziri.

Ndërkohë, pos defokusimit të brendshëm Neziri shton se kryeministri po ashtu shfrytëzon edhe përqendrimin e tanishëm të Bashkimit Evropian në luftërat dhe krizat energjetike në botë, për t’u distancuar për një kohë nga kursi politik evropian.

“Sa i përket kryeministrit Hristijan Mickoski, ai e shfrytëzon mungesën e vëmendjes së Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit dhe ky është fakt se sidomos nga kriza në Lindjen e Mesme, lufta në Iran ka një shqetësim brenda Brukselit, i cili më pastaj e bën të jetë shumë më pak i fokusuar në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vendet tjera aspirante, për të nxitur më tej zgjerimin, dhe kjo mungesë e fokusit të BE-së po shfrytëzohet nga kryeministri Mickoski për të imponuar tema ose dilema të brendshme.”, - theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.

Sipas Nezirit, përderisa ka mungesë të vëmendjes së Brukselit, e njëjta situatë ndodh edhe në shtëpinë legjislative, ku janë lënë anash ndryshimet kushtetuese, si kusht politik që i hap derën mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare me Komisionin Evropian dhe fillimit të grupkapitujve me Unionin. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)