ShBA godet portet iraniane me bllokadë, ndalet qarkullimi në Hormuz

13.04.2026 21:44

Ushtria e Shteteve të Bashkuara...

Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se do të fillojë një bllokadë ndaj të gjitha porteve dhe zonave bregdetare të Iranit duke zbutur zotimin e mëhershëm të presidentit Donald Tramp për të bllokuar plotësisht Ngushticën strategjike të Hormuzit, pasi raportet e para tregonin se anijet kishin ndalur kalimin në këtë rrugë ujore.

Ky veprim erdhi pasi bisedimet maratonë për armëpushim mes ShBA-së dhe Iranit në Pakistan përfunduan pa marrëveshje, duke krijuar terrenin për një përballje të mundshme. Udhëheqësit iranianë u zotuan se do t’i kundërpërgjigjen bllokadës. Trampi më vonë konfirmoi kohën e nisjes në një postim në rrjetin e tij Truth Social. Njoftimi për bllokadën ndaloi trafikun e kufizuar të anijeve që ishte rifilluar në ngushticë pas armëpushimit, sipas një raporti të hershëm nga Lloyd’s List Intelligence.

Sipas gjurmuesve detarë, mbi 40 anije tregtare kanë kaluar që nga fillimi i armëpushimit, nga rreth 100 deri në 135 kalime anijesh në ditë para luftës.

Trampi e zgjeroi edhe përplasjen e tij lidhur me luftën me Papën Leo XIV, duke e kritikuar ashpër në një postim në Truth Social, ku e quajti liderin katolik “të dobët në politikën e jashtme”.

Kjo deklaratë e pazakontë erdhi pasi Papa Leo kishte dënuar luftën dhe kishte kërkuar që liderët politikë të ndalen dhe të negociojnë për paqe.