Botë

Obama dhe Merkel në Samitin e G7-ës, sanksionet kundër Rusisë duhet të mbesin në fuqi

08.06.2015 12:52

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë pajtuar që sanksionet ekonomike kundër Rusisë duhet të mbesin në fuqi deri në “zbatimin e plotë” të marrëveshjes së armëpushimit Minsk II.
 
Kështu njofton Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se sanksionet do mbesin në fuqi derisa Rusia të respektojë plotësisht sovranitetin e Ukrainës.
 
“Sanksionet mund të hiqen vetëm nëse kushtet në të cilat ato ishin imponuar që të vendosen nuk do të jenë më prezentë dhe problemet të jenë zgjidhur”- ka thënë Merkel.
 
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike kundër Rusisë, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në Ukrainë, vitin e kaluar.
 
Presidenti Obama është takuar edhe me kryeministrin britanik, David Cameron, dhe ka deklaruar se mund të ketë një zgjidhje “paqësore dhe diplomatike” për çështjen e Ukrainës.
 
“Por kjo do të kërkojë që Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe partneriteti transatlantik, si edhe e gjithë bota të qëndrojnë vigjilentë dhe të fokusuar në rëndësinë e mbështetjes së parimit të sovraniteti dhe integritetit territorial”- ka thënë Obama.
 
Marrëveshja e armëpushimit e Minksut e arritur në muajin shkurt, që prej fillimit ka qenë e brishtë, pasi që në lindje të Ukrainës ka pasur luftime sporadike.
 
Kievi dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë se po furnizon me armë dhe trupa separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, akuza këto që Rusia i ka hedhur poshtë.
 
Në grupin G7 bëjnë pjesë Gjermania, Britani, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara.
 
Më parë ky grup njihej si G8, ku bënte pjesë edhe Rusia, por pas aneksimit të Krimesë ajo u përjashtua.
 
Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se Rusia mund të kthehet në grupin e vendeve më të industrializuara, por se, sipas tij, ajo duhet të ndërrojë politikën e jashtme. 
 
Samiti dyditorë pritet të prodhojë një deklaratë të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve mbi çështjen e Ukrainës.