Maqedoni

34 vjet nga ekzistenca e Drejtorisë së Doganave, të hyra historike dhe rritje e kallëzimeve penale

14.04.2026 14:28

Pasuria më e madhe e një shteti qëndron në bashkëpunimin tregtar me vendet e ndryshme ndërkombëtare...

Pasuria më e madhe e një shteti qëndron në bashkëpunimin tregtar me vendet e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa Dogana e Maqedonisë është garantuesi më i fuqishëm, i cili siguron qëndrueshmëri ekonomike dhe rritje të qëndrueshme ekonomike të shtetit, kjo u tha mes tjerash nga të pranishmit në shënimin e 34-vjetorit të themelimit të Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Boban Nikollovski, çdo vit mbi 1 milion kamionë mallra të ndryshme hynë dhe dalin nga vendi ynë, ndërsa të punësuarit e doganave janë në shërbim të vendit për çdo ditë për të parandaluar krimin dhe korrupsionin. Sipas Nikollovskit, shteti është duke investuar çdo ditë në pajisje të reja për ta rritur efikasitetin.       
 
“Drejtoria e Doganave është më tepër sesa një mekanizëm administrativ, ajo është vija kryesore e mbrojtjes së vendit. Nga muaji korrik i vitit 2024 deri më 31 mars të këtij viti kemi parandaluar mbi 2.700 përpjekje për veprime ilegale. Në pjesën e dytë të vitit 2024 kemi ngritur 70 kallëzime penale, ndërsa në vitin 2025 kemi ndritur plotë 213 kallëzime penale, ndërsa në tre muajt e parë kemi ngritur 49 kallëzime penale për veprime të paligjshme, apo më mirë thënë nga fillimi i mandatit kemi ngritur 332 kallëzime penale kundër 761 personave fizik dhe 254 ndaj subjekteve juridike.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë së Doganave të RMV-së, Boban Nikollovski. 
 
Ndërsa kryeministri i vendit lavdëroi punën e Drejtorisë së Doganave, duke theksuar se për herë të parë është tejkaluar shifra e të ardhurave prej 12 miliardë denarë brenda një muaji.  
 
“Gjatë 20 muajve të kaluar Drejtoria e Doganave po i shënon rezultatet më të mirë që nga themelimi i saj. U arritën të ardhurat më të larta për vendin, që është një tregues i qartë se institucioni është duke funksionuar shkëlqyeshëm. Për herë të parë është tejkaluar kufiri i të ardhurave prej 12 miliardë denarëve për një muaj. Kjo tregon se lufta e institucioneve të vendit ndaj krimit dhe korrupsionit është qëllimi kryesor i kësaj Qeverie.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, theksoi se Drejtoria e Doganave është vendimtare për ekzistimin e vet shtetit.
 
“Shërbimi Doganor ka një rol kyç në lehtësimin e tregtisë, administrimin e marrëveshjeve për tregti të lirë, avancimin dhe mbrojtjen e ekonomisë së vendit dhe mbledhjen e të ardhurave buxhetore dhe funksionimi i drejtë i këtij institucioni nënkupton interes shtetëror për funksionimin e shtetit.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
 
Sipas Drejtorisë së Doganave në pjesën e dytë të vitit 2024 shuma e mbledhjes së të ardhurave ka kap shifrat e 64.6 milionë euro më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në vitin 2025 shuma e mbledhjes së të ardhurave ka kap shifrat e 105 milionë euro më shumë sesa në vitin 2024. 
 
FITIM KRYEZIU