Maqedoni
Aksion për rritjen e sigurisë në trafik, maratonë 48-orëshe e kontrollit të shpejtësisë
14.04.2026 14:41
Ministria e Punëve të Brendshme këtë javë po zhvillon kontrolle të shtuara me radar në rrugët në të gjithë vendin...

Kujdes sa shpejt vozisni, mos e tejkaloni shpejtësinë e lejuar, sepse Ministria e Punëve të Brendshme këtë javë po zhvillon kontrolle të shtuara me radar në rrugët në të gjithë vendin, në kuadër të një aksioni të koordinuar evropian për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe uljen e shkeljeve që lidhen me shpejtësinë. Sipas informacioneve të MPB-së, kontrollet do të zhvillohen gjatë gjithë javës, ku policia rrugore do të jetë e pranishme pothuajse në të gjitha akset kryesore rrugore, në rrugët urbane dhe ato rajonale. Ndërkohë, një maratonë kontrollesh në mbarë vendin parashihet të zhvillohet gjatë dy ditëve të ardhshme, ku në fokus të radarëve policore do të jenë akset rrugore ku më herët është regjistruar numër i shtuar i shkeljeve dhe aksidenteve në komunikacion, thonë nga MPB.
“Policia rrugore e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e rrjetit evropian të policive rrugore, i bashkohet aksionit evropian për përforcimin e kontrolleve ndaj drejtimit të automjeteve mbi shpejtësinë e lejuar. Nga nesër, e mërkurë, 15 prill, deri më 16 prill në mesnatë, do të zhvillohet një maratonë 24-orëshe e kontrolleve të shpejtësisë, gjatë së cilës do të ketë kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin e vendit. Shpejtësia e lartë mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në komunikacion, me pasoja të rënda dhe fatale në rrugët tona.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andrevski.
Nga MPB informojnë se gjatë katër ditëve të fundit janë regjistruar 1.303 shkelje të trafikut, ndërsa 57 shoferë janë ndaluar për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit. Aksioni evropian për kontrollin e shpejtësisë do të zgjasë deri më 19 prill. Ndërkohë, nga fillimi i këtij viti, për herë të parë në vend, MPB-ja ka instaluar sistemin “Qyteti i Sigurt”, përmes të cilit, sipas autoriteteve, krahasuar me vitet e kaluara, është shënuar ulje e dukshme e aksidenteve në trafik dhe e numrit të viktimave.
REXHEP QAMILI
