Maqedoni

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mexhiti: Do të ketë Badinter për votimin e ligjit

14.04.2026 14:56

Mexhiti shprehet optimist se deputetët jo maqedonas në Kuvend do ta mbështesin Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

Izet Mexhiti, njëri nga krerët e Koalicionit VLEN, shprehet optimist se deputetët jo maqedonas në Kuvend do ta mbështesin Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes ligjore të një çështjeje të kahershme. Mexhiti theksoi se kjo është mundësia e parë që përfaqësimi i drejtë të rregullohet me ligj të posaçëm, ndërsa zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, deklaroi se do ta mbrojë ligjin në Kuvend. 
 
“Besoj se të gjithë deputetët jo maqedonas të cilët e përbëjnë Badinterin janë të interesuar që kjo çështje e cila nuk ka qenë e zgjidhur asnjëherë në formë ligjore, por gojore në formë të partneritetit në Qeveri është mundësia e parë që kjo të zgjidhet në mënyrë ligjore, të ketë ligj të posaçëm dhe nuk kam dilëm se asnjë deputet jomaqedonas nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi pra për ta votuar ligjin që është konformë interesave të bashkësive jo shumicë, jo maqedonase në Kuvend.”, - deklaroi Izet Mexhiti VLEN.
 
Bekim Sali do ta prezantojë para deputetëve
 
“Unë jam i besuari i Qeverisë në Kuvend që do ta mbrojë ligjin para deputetëve.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
 
Provimi i jurisprudencës, Mexhiti: Punohet me intensitet, do të ketë zgjidhje
 
Ndërkohë, Qeveria po punon paralelisht edhe për çështjen e provimit të jurisprudencës, e cila ka nxitur reagime publike dhe protesta studentore, të cilat Mexhiti i konsideron si të drejta dhe me kërkesa reale.
 
“Po punohet, më tepër në Qeveri është i thirrur z. Sali, grupet e punës punojnë në mënyrë intensive, besoj që momentin që do ta kenë zgjidhjen e qartë do të dalin para opinionit për ta absolvuar këtë zgjedhje.”, - u shpreh Izet Mexhiti nga VLEN.
 
Javën e kaluar Qeveria miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një hap që sipas tyre synon t’i japë fund praktikave të deritanishme, të cilat për vite me radhë kanë krijuar padrejtësi dhe paqartësi. 
 
FLORIJE KAMBERI