Maqedoni

Korridori 8 nën vëzhgimin e UNESCO-s, Lutkov: Nuk mund të vazhdojmë pa miratimin e UNESCO-s

14.04.2026 15:10

Në muajin maj, Komisioni i UNESCO-s do të shohë nga afër problemet që lidhen me Korridorin 8...

Në muajin maj, Komisioni i UNESCO-s do të shohë nga afër problemet që lidhen me Korridorin 8, njoftoi ministri i Kulturës, Zoran Lutkov. Sipas tij, zona ku është planifikuar korridori është e mbrojtur nga UNESCO, prandaj projekti nuk mund të vazhdojë në këtë fazë.
 
“Kjo është një zonë e mbrojtur, prandaj nuk mund të vazhdojmë me projektin e autostradës, pasi ajo bie nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ne kemi zhvilluar bisedime në nivelin më të lartë me UNESCO-n për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, duke pasur parasysh se projekti është hartuar sipas standardeve të NATO-s dhe synon të lidhë Maqedoninë me NATO-n. Besoj se në muajin maj do të vijë një komision dhe delegacion nga UNESCO, në mënyrë që t’u prezantojmë nga afër të gjitha sfidat me të cilat përballemi, si ato infrastrukturore, ashtu edhe problemet në rajonin e Ohrit, përfshirë Ohër dhe Strugë, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e përbashkët.”, - deklaroi ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.
 
Mexhiti: Do të ndërtohet duke respektuar UNESCO-n
 
Edhe kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri prej krerëve të Koalicionit VLEN, Izet Mexheti, tha se Korridori 8 do të realizohet duke respektuar UNESCO-n. 
 
“Ideja është që Korridori 8 të lidhet me Shqipërinë, dilema e vetme është se ku do të lidhet me Shqipërinë. Ne duhet t’i respektojmë edhe rregullat e UNESO-s edhe korridori të bëhet. Po punohet për fazën e parë dhe fazat tjera.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Në qershor do të dihet se nëpër cilën trase do të ndërtohet segmenti nga Trebenishta deri në Qafë Thanë, i cili duhet të lidhet me autostradën Ohër - Kërçovë.
 
ARMEND MURSELI