Maqedoni

Lirohen çmimet e naftës dhe benzinës, Mickoski: Masa të reja, konform analizave

14.04.2026 15:24

Çmimi i benzinës pas mesnate do të lirohet për 1.5 denarë, ndërsa çmimi i naftës për 2.5 denarë...

Çmimi i benzinës pas mesnate do të lirohet për 1.5 denarë, ndërsa çmimi i naftës për 2.5 denarë për litër. Sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i vajit ekstra të lehtë do të lirohet për 3.5 denarë për litër. 
 
Sipas vendimit të KRrE-së, duke ia shtuar lirimet nga OKTA:
KRRE:
Benzina BS-95 do të kushtojë 80 den/l
Benzina BS-98 – 82 den/l
Nafta – 92.5 den/l
Vaji ekstra i lehtë – 96.5 den/l
 
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë theksojnë se çmimet referente në tregjet botërore kanë shënuar rënie për të gjitha derivatet, ndërsa ulja më e madhe është regjistruar te mazuti. Po ashtu, kursi i denarit ndaj dollarit ka shënuar një rënie të lehtë, gjë që ka ndikuar në përllogaritjen përfundimtare. Rregullatori thekson se bëhet fjalë për çmime maksimale të lejuara, ndërsa tregtarët kanë mundësi t’i vendosin edhe më të ulëta.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria po përgatit masa të reja pas rritjes së çmimeve, të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme, por theksoi se ato do të miratohen vetëm pas një analize të detajuar.
 
“Unë sot pres të marr raportin dhe gjatë këtyre ditëve ta analizojmë. Pasi ta shqyrtojmë me shumë kujdes, atëherë sigurisht do të dalim me masa të caktuara. Këtë herë duam që ato të jenë të targetuara në mënyrë specifike.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Hristijan Mickoski theksoi se Qeveria tashmë ka ndërmarrë masa për uljen e çmimeve, duke rikujtuar se është ulur TVSh-ja për disa produkte dhe shtoi se do të reagohet sërish me masa të reja.
 
ARMEND MURSELI