Maqedoni
“Rrëzimi” i Orbanit, Filipçe pyet për ekstradimin e Gruevskit
14.04.2026 15:38
Riaktualizohet kërkesa për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Nikolla Gruevski...

Riaktualizohet kërkesa për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria në vend. Kryesocialdemokrati Venko Filipçe shtroi kërkesën publike në një konferencë për media.
Ai pretendon se me ndryshimin e pushteteve në Hungari, Gruevski ka humbur strehën, duke hapur dilema nëse ai ndërkohë do të kërkonte mbrojtje në një shtet të tretë, sikurse Rusia.
“Ky është një fund i epokës ku Budapesti ishte strehë e sigurt për të gjithë kriminelët e gjykuar. Meqë Lëvizja “E di” uroi fitoren e kryeministrit të ri të Hungarisë, ne pyesim: a ka kërkesë për ekstradim, nëse kjo Qeveri e VMRO-së dhe Lëvizjes “E di” ka dorëzuar kërkesë për kthimin e Nikolla Gruevskit. Nëse nuk ka, përse nuk ka? Nëse brenda ditës, pas deklaratës së kryeministrit hungarez do të dorëzojë kërkesë për ekstradim të Nikolla Gruevskit.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Rikthimi eventual i Gruevskit, Mickoski: Ish-kryeministri mund të burgoset, Përplasje për marrëveshje të fshehta
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk dëshiron të komentojë vendimet hungareze për ekstradim të Gruevskit në të ardhmen, por thotë kurdoherë që ai të paraqitet në Maqedoni do të përfundojë në burg.
“Ekstradim është kërkuar që në vitin 2018 dhe është refuzuar në vitin 2019 nga ana e Hungarisë. Me sa e di, ekziston procedurë, nëse personi ka të drejtën e azilit, për shkaqe të caktuara, andaj mendoj se për më shumë detaje të drejtoheni në Ministrinë e Drejtësisë. Unë nuk kam kurrfarë pritjesh, por nëse Gruevski paraqitet në Maqedoni, ai ka vendim të plotfuqishëm dhe menjëherë pasi të paraqitet në Maqedoni, organet e rendit do ta drejtojnë për kryerjen e dënimit me burg në përputhje me vendimin e plotfuqishëm gjyqësor.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Por, për LSDM-në, me rrëzimin e Orbanit po i vihet fundi edhe lidhjeve Mickoski - Orban në fushën e telekomunikimeve, energjetikës, 40 % e kontrollit të mediave dhe financave. Filipçe dyshon për përzgjedhje jotransparente të operatorit të tretë celular For Aj Xhi (4iG) në vend.
LSDM do të kërkojë hetime për të gjitha marrëveshjet. Kundërpërgjigjet Mickoski, duke thënë se LSDM po graviton në botën e gënjeshtrave.
“VMRO, grup i organizuar kriminel, të interesuar vetëm për interesat e tyre financiare, ta mbajë vendin peng, të krijojë mosmarrëveshje dhe grindje me fqinjët, të nxisë tensione ndëretnike, të marrë të drejta, të dhëna, të hyjë në borxhe me miliradë euro në energjetikë, në sektor kyç në shtet. Tani shtrohet pyetja se çka do të ndodhë me ato projekte, jo me Hungarinë, por me njerëz të afërt me Viktor Orbanib?”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Kompania “For Aj Xhi”, partnere me kompaninë gjermane “Rajn Metall” dhe me “Spejs Eks” të Ellon Mask ka paguar 9 milionë euro dhe u pajis me të drejtën e operatorit të tretë celular. Pyetja është përse në kohën LSDM – BDI nuk kishte operator të tretë dhe përse në atë kohë qytetarët paguanin çmimet më të larta të shërbimeve celulare?”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Trazimi i ujërave politike u diktua nga deklarimi i parë publik i kryeministrit të ri të Hungarisë, Petar Magyar. Në deklarimin e tij të parë theksoi se Qeveria e re s’do të lejojë që shteti të bëhet strehë e kriminelëve dhe do të ekstradojë të njëjtët, duke apostrofuar edhe ish-zëvendëskryeministrin Nikolla Gruevski.
MERAL ISMAILI
