Botë
Kosovë, shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale
14.04.2026 16:06
Në Kosovë u shënua 14 Prilli, Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale...

Në Kosovë u shënua 14 Prilli, Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti dhe të mbijetuar të dhunës seksuale, kanë bërë homazhe te Memoriali “Heroinat”.
Me këtë rast Haxhiu bëri të ditur se sëfundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo njëherësh u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtar që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Kosovës.
“Unë thërras sot edhe njëherë që partnerët tanë ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse siç e dini, Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës, por po ashtu edhe atyre terroristëve që kryejnë krime në kohë të paqes. Është e rëndësishme që institucionet e drejtësisë po e zbatojnë gjykimin në mungesë, sepse si pasojë e asaj që përmenda që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës, ne jemi të detyruar që të mundësojmë gjykimin në mungesë, që sado pak të zbusim dhimbjen e familjarëve, por edhe të të mbijetuarve.”, - deklaroi u.d. presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Gudman, theksoi se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet.
“Para 27 viteve, kur isha vetëm 16-vjeçare, isha në dorën e armikut. Sot jam këtu për të folur për drejtësinë, sot e kam gjithë popullin shqiptar pas vetes, se për shumë vite e kisha vetëm familjen. Dua të falënderoj institucionet, organizatat, shoqërinë, familjen për përkrahje e për mbështetje. Ju bëj thirrje viktimave që të na bashkëngjiten sa më shumë, të dalin e të flasin publikisht, por gjëja kryesore është të kërkohet drejtësi.”, - theksoi e mbijetuara e dhunës seksuale,Vasfije Krasniqi Gudman.
Edhe Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, i bëri thirrje të mbijetuarve që të flasin publikisht.
“Unë sot u bë një vit kur kam dalë të flas publikisht. Unë prej këtij vendi ju bëj thirrje çdo të mbijetuari, që të vijnë sa më shumë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë, sepse edhe do të bëjmë padi kundër shtetit serb.”, - u shprehi mbijetuari i dhunës seksuale, Ramadan Nishori.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë vlerësohet se janë përdhunuar rreth 20 mijë persona. Por, viktimat dhe organizatat që i përfaqësojnë vazhdimisht kanë ngritur zërin për mungesën e drejtësisë pasi vetëm një rast është i gjykuar për krime të dhunës seksuale.
GYLTENE SINANI
