Botë

Tensionohen raportet Serbi – Hungari, përplasja e parë Vuçiq dhe Magyar

14.04.2026 16:50

Serbia duket e pakënaqur me kryeministrin e ri të Hungarisë, Peter Magyar...

Serbia duket e pakënaqur me kryeministrin e ri të Hungarisë, Peter Magyar, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq u bë presidenti i parë që reagoi ashpër ndaj deklaratave të tij, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Hungari.
 
Kryeministri i ri hungarez deklaroi se e dinte kush e orkestron aleancën politike mes Orbanit, kryeministrit sllovak Robert Fico dhe Vuçiqit. Qëndrimi i Vuçiqit ishte i ashpër, pasi i quajti komentet e Magyarit “budallallëqe”.
 
“Po e pyes: kush i sponsorizon? Hajde, mu përgjigj, meqë e di, thuaje kush është. Pra, ai nuk e ka idenë. Bëhet sikur nuk dëshiron të zbulojë gjithçka, vetëm t’ua bëjë qejfin Bashkimit Evropian, që ata të arrijnë në përfundimin se është Putini ose dikush i tillë. Nëse nuk do të isha i shqetësuar për marrëdhëniet me hungarezët në vendin tonë dhe me vetë Hungarinë, do ta quaja deklaratën e tij të pamend dhe të papërgjegjshme.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Magyar foli edhe për zbulimin e eksplozivëve pranë tubacionit të gazit në Serbi, afër kufirit hungarez, duke e cilësuar ngjarjen si të dyshimtë dhe se qeveria e tij do të hetojë saktësisht se çfarë ndodhi dhe nëse rreziku ishte real, ndërsa Vuçiqi u përgjigj se hetimi është çështje ekskluzive e autoriteteve serbe.
 
“Sa i përket çështjeve të tjera, sidomos hetimit të sulmit të tentuar ndaj gazsjellësit, ky nuk është vendi i tij dhe ai nuk ka asnjë autoritet në këtë vend për të kryer hetime. Ne i kryejmë hetimet në mënyrë shumë profesionale dhe objektive. Pra, për të qenë plotësisht i sinqertë, ky vend po zhvillon një hetim.”, - theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Autoritetet serbe njoftuan më 5 prill se dy qese me eksplozivë ishin gjetur pranë tubacionit, i cili transporton gaz natyror rus në Hungari. Vuçiqi tha se, pasi të përfundojë hetimi, gjetjet e tij do të ndahen edhe me Magyarin.
 
Pavarësisht shkëmbimeve të ashpra të deklaratave, të dy udhëheqësit shprehën dëshirën për të ruajtur marrëdhënie të mira dypalëshe. Vuçiqi gjithashtu i dërgoi Hungarisë një mesazh urimi pas zgjedhjeve të së dielës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU