Maqedoni
Rasti i Sopotit, Paçuku: Të tërhiqet deklarata e Ramadan Bajramit
08.06.2015 13:13
Prokurori publik, i angazhuar në rastin e Sopotit, është shprehur kundër kërkesës së palës mbrojtëse për ndarjen e deklaratës së dëshmitarit, Ramadan Bajrami, nga procesverbali...

Ky qëndrim shkaktoi reagimin e zëshëm të avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan nga trupi gjykues që të miratojë vendim të drejtë, duke marrë parasysh të gjitha dëshmitë për gjendjen faktike dhe rrethanat se si është dhënë deklarata e dëshmitarit, Ramadan Bajrami.
Kjo deklaratë nuk duhet të merret parasysh, pasi është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale dhe Kushtetutën.
Të gjitha të dhënat tregojnë se deklarata është thënë nën presion fizik dhe psikik dhe se i njëjti më pas e ka tërhequr të njëjtën, u shpreh avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku, para trupit gjykues.
“Prokuroria shprehu mendim negativ dhe kërkoi që gjykata të mos e pranojë kërkesën tonë dhe kjo dëshmi të merret parasysh në këtë rast. Duke pasur parasysh këtë, gjykata kërkoi një kohë të marrë vendimin të analizojë të gjitha dëshmitë dhe rrethanat dhe të marrë vendim nëse gjykata do të marrë parasysh kërkesën tonë. Unë edhe një herë arsyetova kërkesën tonë, thashë se është kërkesë e bazuar në ligj. Është kërkesë e bazuar në dëshmi të shumta, që arritëm t’i nxjerrim dhe shpresoj që gjykata të marrë një vendim të drejtë. Nuk kërkojmë që gjykata të na bëjë lëmoshë ose të na falë, por kërkojmë një vendim të drejtë nga ana e gjykatës”- deklaroi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
Sopotasi, Shaban Limani, kërkon nga trupi gjykues të mos zvarritë më procesin dhe t’i shpall të pafajshëm ata.
“Ne kërkojmë që rasti i Sopotit të përfundojë sa më shpejtë, se edhe deklarata e Ramadan Bajramit që të bie poshtë, dëshmi kemi mjaft që kjo deklaratë të bie një herë e përgjithmonë, mos të përsëritet kjo më me shty si sot. Shtyhet në muajin shtator, kjo nuk ka logjikë assesi dhe kërkojmë sa më shpejt lirimin e sopotasve”- tha i akuzuari, Shaban Limani.
Pafajësinë e sopotasve më herët e kanë theksuar ambasadori i NATO-s, Nikollas Bigmane, dhe kryeministri i atëhershëm i vendit, Vllado Buçkovski, në Komisionin Anketues për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pranë parlamentit.
Bigman ka kërkuar gjetjen e fajtorëve të vërtetë në këta rast.
Faktin që dëshmitari Ramadan Bajrami dëshminë e ka dhënë nën presion, e vërtetojnë edhe dëshmitë nga Burgu i Shutkës, që tregojnë se ditën kur është pranuar ky dëshmitar ka pasur shenja të dhunës fizike dhe psikike.
Edhe avokati i popullit i ka vërtetuar këto rrethana. Për pafajësinë e sopotasve u publikuan edhe disa biseda të përgjuara, në të cilat ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, pranojnë se të akuzuarit janë të pafajshëm.
Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini janë 11 personat e akuzuar për rastin e Sopotit për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, me ç`rast humbën jetën dy ushtarë polak të NATO-s dhe një civil.
Ndërsa në mungesë u dënuan edhe 6 të tjerë, me një total dënimi prej 156 vjetësh. Ata janë liruar nga burgu, por ende nuk janë shpallur të pafajshëm.
FLORIJE KAMBERI
