Botë

ShBA bllokon portet e Iranit, Irani: Kërkesat e SHBA-së janë të paligjshme

14.04.2026 17:34

ShBA-ja ka nisur një bllokadë ndaj porteve iraniane...

ShBA-ja ka nisur një bllokadë ndaj porteve iraniane, pasi bisedimet e paqes përfunduan pa rezultat. Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi se çdo anije iraniane që përpiqet t’i afrohet zonës së bllokadës do të shkatërrohet menjëherë.
 
Megjithatë, një tanker nën sanksione ka arritur të kalojë nëpër këtë korridor të rëndësishëm detar, pavarësisht bllokadës amerikane. Ndërkohë, zëvendëspresidenti i ShBA-së akuzoi qeverinë iraniane për “terrorizëm ekonomik”, që sipas tij, pengon qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit.
 
“Presidenti i ShBA-së do të ishte shumë i kënaqur nëse Irani do të sillej si një shtet normal, me një ekonomi normale dhe ku qytetarët e tij mund të përparojnë. Por, për të qenë i tillë, Irani duhet të heqë dorë nga synimet për armë bërthamore dhe nga terrorizmi.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J. D. Vance.
 
Kryetari i parlamentit iranian theksoi se vendi nuk do të dorëzohet përballë kërcënimeve. Ndërsa, ambasadori i Iranit në Indi, Mohamed Fatahi, u shpreh se Teherani është i hapur për një raund të ri bisedimesh, nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesat e paligjshme.
 
“Ne morëm pjesë në negociata me gjithë përvojën dhe ekspertizën tonë. Besojmë se nëse shmangen kërkesat e paligjshme dhe njihen të drejtat dhe interesat tona legjitime, negociatat mund të jenë të suksesshme.”, - theksoi ambasadori i Iranit në Indi, Mohamed Fatahi.
 
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian deklaroi se do të kundërshtojë çdo kufizim ndaj lëvizjes së lirë në Ngushticën e Hormuzit. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar njoftoi se nuk do të përfshihet në konflikt me Iranin për arsye të interesit kombëtar.
 
“Qëllimi është i qartë: kalim i sigurt për të gjitha dërgesat në këtë rrugë. BE-ja do të vazhdojë të refuzojë çdo marrëveshje që kufizon lirinë dhe sigurinë e kalimit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.
 
“Qëndrojmë jashtë kësaj lufte dhe për këtë arsye aktualisht punojmë për rikthimin e lirisë së lundrimit në Lindjen e Mesme, sepse është e lidhur drejtpërdrejt me interesat tona kombëtare.”, - u shpreh kryeministri i Britanisë, Keir Starmer.
 
Pavarësisht përpjekjeve për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite vazhdoi ofensivën ajrore dhe tokësore në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu lëshoi raketa dhe dronë drejt veriut të Izraelit. Spanja dënoi sulmet izraelite në Liban.
 
“E drejta ndërkombëtare aktualisht po shkelet në mënyrë thelbësore nga një vend: qeveria izraelite. Ekziston gjithashtu një reagim plotësisht i paligjshëm nga regjimi iranian në lidhje me një luftë që ne e kemi përshkruar që në fillim si një gabim dhe një akt të paligjshëm, një luftë e nisur në mënyrë të njëanshme nga administrata amerikane dhe gjithashtu nga administrata izraelite.”, - deklaroi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.
 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani pritet të rikthehen në tryezën e negociatave në ditët në vijim në Islamabad, për një raund të ri bisedimesh mbi një marrëveshje të mundshme, pasi raundi i parë i bisedimeve nuk dha rezultate konkrete. Në këtë marrëveshje kërkohet edhe përfshirja e Libanit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU