Rajon

Edhe 13 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, Kurti: Jemi në kontakt me liderët e opozitës

15.04.2026 14:08

Kurti thotë se është në komunikim me kryetarët e partive opozitare për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës...

Kur kanë mbetur edhe 13 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti thotë se është në komunikim me kryetarët e partive opozitare rreth kësaj çështjeje, por tani për tani nuk ka rezultate konkrete. 
 
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare. Kur të ketë rezultate, atëherë ju njoftojmë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Konjufca: Tërhiqem, nëse opozita propozon president
 
Ndërkohë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca, shprehet i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura nëse opozita propozon një kandidat të përbashkët për president.
 
“Në momentin që opozita e nxjerr një kandidat të përbashkët, unë menjëherë do ta bëja këtë punë. Gjëja e parë që do ta bëja, sepse le të themi se shumë më e rëndësishme është që Kosova ta ketë presidentin e vet, sesa që ai ta ketë emrin Glauk Konjufca.”, - theksoi kandidati i LVV-së për president, Glauk Konjufca.
 
Konjufca e sheh më konstruktiv qëndrimin e LDK-së, e cila ka shprehur gatishmëri për t’i vazhduar takimet me kryeministrin Kurti, për dallim nga PDK-ja, e cila, siç tha Konjufca, kërkon marrëveshje pa e bërë publik emrin e kandidatit për president, gjë që është e papranueshme për Vetëvendosjen. Sipas Konjufcës, opozita po kalkulon për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me emrin e ish-presidentes Vjosa Osmani, duke shpresuar se në atë mënyrë do të zbriste përqindja e votave të Lëvizjes Vetëvendosje.  
 
GYLTENE SINANI