Maqedoni
Liderët e bashkësive fetare: Të çrrënjoset mosdurimi fetar
15.04.2026 14:27
Liderët e bashkësive fetare dhe grupeve religjioze në vend e kanë dënuar rastin e natës së 12 prillit....

Liderët e bashkësive fetare dhe grupeve religjioze në vend e kanë dënuar rastin e natës së 12 prillit kur pati përpjekje për t’i vënë flakën ndërtesës së Bashkësisë Hebrenje dhe sinagogës në Shkup. Ata kanë kërkuar që kompetentët ta zbardhin rastin dhe të eliminohet rrënjësisht çfarëdo mosdurimi fetar.
“Nuk e dimë nëse janë terrorist apo huliganë, por është fakt se shteti islamik kishte shpallje që për festën e pashkëve t’u vihet flaka objekteve fetare krishtere dhe objekteve fetare hebrenje.”, - deklaroi kryetari i Bashkësisë Hebrenje në RMV, Pepo Levi.
“Unë vlerësoj dhe e them me përgjegjësi se elemente të këtilla nuk e kanë origjinën nga asnjë religjion në Maqedoninë e Veriut. E kush janë dhe çka janë ata, institucionet tona përgjegjëse duhet të kujdesen dhe t’i gjejnë kryerësit.”, - theksoi kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai.
Krerët e bashkësive fetare me këtë rast theksuan se derisa bota është në kaos, me qindra e mijëra viktima nga luftërat, një vend i vogël si Maqedonia patjetër të angazhohet për ruajtjen e paqes dhe bashkëjetesës. Ndërkohë organet e rendit po hetojnë rastin e 12 prillit kur dy persona e kaluan rrethojën e objektit fetar hebrenj në Shkup dhe tentuan që me lëndë djegëse t’ia vënë flakën.
VLORA LATIFI TOPOJANI
