Vuçiqi hedh akuza ndaj shqiptarëve në rajon, e sheh rrezik aleancën Prishtinë -Tiranë - Zagreb

15.04.2026 14:52

Aleanca për bashkëpunim në siguri...

Aleanca për bashkëpunim në siguri, mbrojtje dhe koordinim politik, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, vazhdon ta shqetësojë presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, kjo aleancë përbën rrezik për Serbinë, prandaj Vuçiqi paralajmëroi se institucionet serbe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.

“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa ishte në janar, kur iu drejtuam për herë të fundit publikut, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Përkushtimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar dhe mund t’i ruajmë ato vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë. Në përputhje me këtë, dua t’ju informoj se në ditët në vijim do të nënshkruajmë kontrata të mëdha, kontrata shumë të rëndësishme për furnizimin e mëtejshëm me pajisje ushtarake.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiqi, njëkohësisht president i Serbisë dhe komandant suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë, paralajmëroi blerje të reja ushtarake dhe theksoi se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e këtyre forcave.

“Propozova zhvillimin dhe miratimin e një strategjie për robotizim, formimin e një njësie në nivel batalioni të pajisur me platforma robotike, përgatitje organizative për krijimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë veprimi, trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për drejtimin e zjarrit të artilerisë dhe aviacionit, si dhe pajisje dhe trajnime të mëtejshme për përdorimin e dronëve në njësi të tjera.”, - theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së kazermës “Banjica 2” në Beograd, morën pjesë edhe zyrtarë nga Republika Sërpska, përfshirë Milorad Dodikin. Sipas tyre, zhvillimet në rajon duhet të mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm.

“Ajo aleancë duhet patjetër të jetë nën vëzhgimin e të gjithë neve, edhe në Republikën Sërpska dhe, natyrisht, edhe këtu në Serbi. Besoj se ky nuk është mesazhi që duhet të dërgojë dikush nëse dëshiron stabilitet në Ballkan. Ajo aleancë është shqetësuese për sigurinë e të gjithë rajonit.”, - u shpreh zyrtari nga Republika Sërpska, Milorad Dodik.

Vitin e kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, këto dy të fundit anëtare të NATO-s, nënshkruan marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Përfaqësuesit e tri vendeve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride. Ata theksuan se aleanca mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt, por Vuçiqi shpeshherë e ka cilësuar këtë aleancë si kërcënim për Serbinë. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)