Maqedoni

Shkupi - Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028, qytetet evropiane në mbështetje të projekteve

15.04.2026 15:06

Shkupi në vitin 2028 do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës....

Shkupi në vitin 2028 do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës. Kryetarë komunash nga qytete evropiane sot qëndruan në Shkup për të shprehur mbështetjen e tyre për kryeqytetin. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se përmes bashkëpunimit me qytetet evropiane, Shkupi do të zhvillohet në aspektin kulturor, ndërsa paralelisht do të realizohen edhe projekte infrastrukturore, si rikonstruktimi i Kalasë, Çarshisë së Vjetër dhe objekteve të tjera me rëndësi.
 
“Kjo është një mundësi e mirë që përmes kulturës t’i bashkojmë të gjithë qytetarët në Shkup. Nga njëra anë, ky është dimensioni kulturor i procesit, ndërsa nga ana tjetër janë projektet infrastrukturore që planifikojmë, si rikonstruktimi i Kalasë ku do të mbahen shumë ngjarje, Çarshia e Vjetër e Shkupit, Akuadukti një simbol i vërtetë i qytetit, e të tjera.”, - deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
 
Nga Delegacioni i Bashkimit Evropian u theksua se bashkëpunimi me qytetet evropiane do të ndikojë në zhvillimin kulturor dhe infrastrukturor të Shkupit.
 
“Këto qytete sigurojnë mjete, tërheqin investime dhe rrisin interesin për programin dhe vetë qytetin si destinacion. Si rezultat, rritet edhe numri i turistëve, gjë që ndikon në përmirësimin e reputacionit të qytetit.”, - theksoi ushtruesi i detyrës ambasador, delegacioni i BE-së, Ben Nupnau.
 
Kryetarët e komunave evropiane theksuan se Shkupi edhe pas vitit 2028 do të vazhdojë të përfitojë investime në kulturë. Ata u shprehën se janë në Shkup për të mbështetur projektin, duke ndarë edhe përvojat dhe sfidat e tyre, të cilat nuk duhet të përsëriten.
 
“Ky program e përmirëson kulturën dhe bashkëpunimin mes njerëzve. Edhe gjuhët nuk janë pengesë, përkundrazi, ato na pasurojnë dhe na ndihmojnë të forcojmë lidhjet mes qytetarëve.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Nova Goricës, Slloveni,
Samo Turel.
 
“Para 20 vitesh, çdo ekspert do të thoshte se ky bashkëpunim është i pamundur, por ne e dëshmuam të kundërtën. Kur ekziston vullneti, gjithçka mund të realizohet.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Goricës, Itali, Rodolfo Ziberna.
 
“Ne dhamë rekomandime që ta merrni këtë proces seriozisht, pasi kërkon energji dhe përkushtim të vazhdueshëm edhe pas vitit 2028. Duhet të jeni të durueshëm, të fortë dhe të krijoni partneritete për ta çuar këtë rrugëtim deri në fund.”, - theksoi kryetarja e Komunës së Kemnitzit, Gjermani, Xhosefine Hage.
 
Nga Qyteti i Shkupit theksuan se gjatë këtij viti do të realizohen projektet e parapara, ndërsa deri në vitin 2028 do të punohet për përmirësimin e sfidave reale, si higjiena, gjelbërimi dhe transporti publik, me qëllim që Shkupi të shndërrohet në një qytet të mirëfilltë evropian i kulturës.
 
ARMEND MURSELI