Botë

Konflikti në Lindjen e Mesme, ShBA - Iran, priten negociata të reja në Pakistan

15.04.2026 15:27

Ditët në vijim pritet të zhvillohen negociata të reja për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme

Ditët në vijim pritet të zhvillohen negociata të reja për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, pas bisedimeve të fundjavës që nuk sollën përparim, njoftojnë nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa bllokada amerikane e porteve vazhdon edhe më tej. Presidenti Tramp vijon me deklaratat kontradiktore, ai shprehet se lufta është afër fundit, por se ShBA-ja nuk do tërhiqet.
 
“Do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se shumë prej tyre duan të arrijnë një marrëveshje. Mendoj se lufta është afër fundit. Nëse do të tërhiqesha tani, do t’u duheshin 20 vjet për ta rindërtuar atë vend, dhe ne ende nuk kemi mbaruar punë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Raundin e ri të bisedimeve pritet ta udhëheqë zëvendëspresidenti amerikan. Ai thotë se çështje kryesore janë ambiciet bërthamore të Iranit. ShBA-ja kërkon garanci të qarta, çmontimin e objekteve bërthamore dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
 
“Trampi dëshiron të arrijë një marrëveshje të madhe. Nëse zotoheni se nuk do të keni armë bërthamore, ne do ta ndihmojmë Iranin të përparojë dhe të integrohet në ekonominë botërore.”, - theksoi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J.D. Vance.
 
Teherani nuk ka konfirmuar ende një raund të ri bisedimesh, ndërsa kryeministri i Pakistanit ka zhvilluar takime në vendet e Gjirit Persik për konsultime mbi paqen dhe sigurinë rajonale. Thirrje për diplomaci ka ardhur edhe nga OKB-ja.
 
“Ne i mirëpresim dhe i mbështesim përpjekjet e Pakistanit. Katari mbështet çdo përpjekje që synojnë t’i japin fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur, por nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e ndërmjetësimit mes palëve.”, - u shpreh  zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.
 
“Negociatat serioze duhet të vazhdojnë dhe armëpushimi duhet të ruhet. Të drejtat ndërkombëtare dhe liria e lundrimit duhet të respektohen nga të gjitha palët. Është koha për diplomaci, jo për përshkallëzim.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike paralajmëron se pa inspektime nuk mund të ketë marrëveshje të besueshme dhe kërkon përfshirjen e agjencisë në çdo marrëveshje të ardhshme.
 
“Irani ka një program bërthamor shumë ambicioz dhe të gjerë. Kjo do të kërkojë praninë e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, përndryshe nuk do të keni marrëveshje, por vetëm një marrëveshjeje iluzioni.”, - theksoi drejtori i përgjithshëm i ANEA, Rafael Grosi.
 
Portet iraniane mbeten nën bllokadë. Edhe pse është vërejtur qarkullim i kufizuar nëpër ngushticë, Komanda Qendrore e ShBA-së thotë se asnjë anije nuk e ka shkelur kufirin e vendosur.
 
“Brenda më pak se 36 orësh nga zbatimi i bllokadës, forcat amerikane ndaluan plotësisht tregtinë ekonomike që hyn dhe del nga Irani përmes detit.”, - u shpreh komandanti i Komandës Qendrore të ShBA-së, Brad Kuper. 
 
Ndërkohë, zhvillimet më të fundit në frontin Izrael - Liban tregojnë se situata mbetet e tensionuar. Sulme të ndërsjella mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vazhduar edhe pas kontakteve të para diplomatike në Uashington. Hezbollahu nuk i pranon këto negociata, pasi thotë se nuk është i përfshirë në bisedime. Izraeli ka goditur jugun e Libanit, qytetet Nabatieh, Sidon, Bekaa dhe zona të Beirutit me sulme ajrore, duke vrarë dhjetëra civilë. Ndërsa Hezbollahu është kundërpërgjigjur me raketa drejt veriut të Izraelit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU