Maqedoni
Akuza dhe etiketime, Mickoski paralajmëron hetime
15.04.2026 15:41
Mickoski paralajmëroi mundësinë që në periudhën e ardhshme të hapen hetime dhe procedura kundër ish-funksionarëve të lartë shtetërorë...

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi mundësinë që në periudhën e ardhshme të hapen hetime dhe procedura kundër ish-funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas tij, rastet e mundshme mund të kenë të bëjnë me persona nga radhët e LSDM-së, përfshirë edhe ish-kryeministra, si dhe anëtarë të familjeve të tyre të ngushta. Ai i bëri thirrje opozitës që, nëse dëshiron të jetë alternativë reale e Qeverisë, të kërkojë që Vasko Kovaçevski të kthehet dhe të përballet me drejtësinë.
“Pres nga kjo e njëjta opozitë, të jetë kështu kritike dhe të sillet në këtë mënyrë kritike, siç sillet tani, kur…kam ndjenjë që shumë shpejt, funksionarë të lartë nga Qeveria e LSDM-së, ish-kryeministra, kryetarë të qeverive, të afërm të tyre nga familja, do të përfshihen në “përndjekje të caktuara”. Kam ndjesi, nuk them se kam informacione, kam ndjesi.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Mickoski “Orban Junior”
Nga LSDM reaguan ndaj deklaratës së Mickoskit, duke thënë se kryeministri pasi i vendosi njerëzit e tij në pozitat kyçe në gjyqësor dhe prokurori, “porosit” procese përmes mediave, duke menduar se kështu do të na frikësojë dhe do ta ndalë luftën tonë kundër organizatës së tij kriminale. LSDM thekson se opinioni ndërkombëtar dhe mediat gjermane tashmë e perceptojnë kryeministrin Hristijan Mickoski si “Orban Junior”. Sipas Zhernovskit, rënia e regjimit të Viktor Orbanit në Hungari i lëkund drejtpërdrejt pozitat e VMRO-DPMNE-së.
“Gjermania e ka quajtur Mickoskin politikan autoritar dhe e ka vendosur në një grup me Vuçiqin dhe Dodikun, duke i quajtur ‘vëllazëri autoritare’. Kjo nuk është më vetëm narrativë e opozitës në Maqedoni, por një diagnozë ndërkombëtare për një sistem të korruptuar kontrolli mbi mediat dhe bizneset.”, - theksoi Andrej Zhernovski nga LSDM.
VMRO: LSDM të merret me veten
VMRO-DPMNE kundëpërgjigjet duke thënë se LSDM dhe Filipçe, në vend që të jenë një opozitë kredibile dhe korrigjuese e pushtetit, merren me zgjedhje në një shtet tjetër, ku partitë e tyre motra fitojnë 1% të votave.
“LSDM dhe Filipçe, gjithashtu, në vend që të gëzohen për fitoren e Magyarit në Hungari, i cili, meqë ra fjala, vjen nga një parti motër e VMRO-DPMNE-së, duhet të pyesin veten pse vetëm rreth 60 për qind e delegatëve morën pjesë në kongresin e tyre? Po ashtu, LSDM dhe Filipçe, të cilët merren kaq shumë me rezultatin zgjedhor në Hungari, duhet të tregojnë nëse partia e tyre motër, e cila fitoi vetëm 1% të votave, është standardi i tyre dhe nëse synojnë të arrijnë në atë nivel?”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Sipas Petrushevskit, me këto politika, LSDM dhe Filipçe do të bëhen një parti margjinale.
ERSAN PAJAZITI
