Maqedoni
Samiti i Diasporës, Diaspora e rëndësishme për eurointegrimet
15.04.2026 16:10
Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në familjen evropiane...

Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në familjen evropiane, por krahas përpjekjeve brenda Shqipërisë, një dorë i kërkohet edhe diasporës. Në ditën e tretë të samitit që po mbahet në Tiranë, kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se diaspora është e pazëvendësueshme në ndihmën që mund të japë përmes eksperiencës, imazhit dhe zërit të tyre.
“Jemi duke kapërcyer në fazën e mbylljes së negociatave, mundësi transformimi, diaspora e pazëvendësueshme ka shumë mënyra se si mund të punojmë. Kemi nevojë për eksperiencën tuaj, teknologjinë, standardet, mënyra se si bëhet biznes, dërgesat tuaja mund të shërbejnë si mundësi e mirë investimi. Ka shumë rëndësi imazhi juaj, kemi nevojë për zërin tuaj, bëni miq e thoni të vijnë për turizëm e të bëjnë investime.”, - deklaroi kryenegociatorja, Majlinda Dhuka.
Ndërsa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksin e vuri te modelet ekonomike që ka sjellë diaspora përmes investimeve, duke përqafuar ato më pro mjedisit.
“Shqiptarët e diasporës kanë sjellë modelet më të mira të një ekonomie qarkulluese, jo ato lineare.”, - u shpreh ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Edhe në këtë panel nuk mungoi thirrja e diasporës për më shumë bashkëpunim dhe një ministri të dedikuar për ta.
Dita e tretë e Samitit të katërtë të diasporës në Tiranë nisi me një mëngjes lutjesh, që bëri bashkë të gjitha komunitetet fetare në vend.
LULJETA NDOKA
