Kosovë, tryezë kushtuar bashkëjetesës ndërfetare

16.04.2026 14:21

Në Kosovë bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne...

Në Kosovë bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Tryezën e Dialogut Ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe fetare në të gjithë vendin tonë për të gjitha komunitetet pa përjashtuar asnjë qytetar. Janë restauruar dhe vazhdojnë të restaurohen xhami, hamame, teqe, kisha katolike dhe ortodokse, qendra kulturore hebraike, si dhe monumente të tjera me vlerë historike duke u kthyer në hapësira të gjalla të kujtesës, besimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve. Aty ku njerëzit bëhen bashkë, aty ata do të kenë gjithmonë pranë qeverinë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, duke folur për dimensionin shpirtëror dhe shoqëror të bashkëjetesës ndërfetare, e cilësoi atë si vlerë të trashëguar dhe obligim të përbashkët.

“Historia jonë dëshmon se bashkëjetesa nuk është vetëm një ideal, por një praktikë e jetuar. Besimet tona fetare janë pasuri shpirtërore dhe morale që i japin kuptim jetës dhe forcojnë lidhjet shoqërore. Prandaj edhe sot, ne riafirmojmë përkushtimin tonë për të kultivuar frymën e mirëkuptimit, duke respektuar besimin tonë dhe duke çmuar besimin e tjetrit. Këtë e kemi edhe obligim hyjnor.”, - theksoi kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava.        

Organizator i tryezës me qëllim të promovimit dhe forcimit të dialogut ndërfetar ishte Fondacioni “Drita”.

Nga ky fondacion theksuan se kësaj radhe tryezën e organizuan në ambientet e Bashkësisë Islame të Kosovës, ndërsa paralajmëruan se vitin tjetër shpresojnë që këtë organizim ta mirëpresë Kisha Ungjillore apo Kisha Ortodokse e Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)