PD-ja akuzon Qeverinë për mosreagim ndaj protestës së studentëve në RMV
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike...

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi Qeverinë për mungesën e një qëndrimi unifikues, pas protestës së studentëve në Maqedoninë e Veriut.
“Do të ishte në nderin dhe në detyrën e këtij Kuvendi që të reagonte zyrtarisht dhe të dilte me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Që vjen që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ligji i miratuar nga Maqedonia e Veriut, sepse nuk bëhet fjalë për një diskutim me karakter politik, por bëhet fjalë për një diskutim me karakter ligjor, me karakter kombëtar.”, - deklaroi deputetja e PD-së, Ina Zhupa.
Në përgjigje, ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, tha se po e ndjek situatën me kujdes dhe se nuk ka asnjë mungesë dakordësie lidhur me këtë çështje.
Zhupa u ndal dhe në Samitin e Diasporës, duke vënë në dyshim përmbajtjen dhe pjesëmarrësit dhe duke e quajtur ‘propagandistik’.
Kuvendi vijoi me debate për integrimin, pasi opozita akuzoi se po e trajton këtë çështje si pronë private dhe se nuk jep asnjë informacion se çfarë po ndodh në Bruksel. (Luljeta Ndoka, TVM2)
