Kriza me karburantet, Kuvendi vazhdon gjendjen e krizës

16.04.2026 15:05

Kuvendi vendosi që të vazhdojë gjendjen e krizës...

Kuvendi vendosi që të vazhdojë gjendjen e krizës si pasojë e rrezikut për furnizim me karburante. Sipas vendimit, masa do të vlejë deri më 20 korrik të këtij viti, duke i lënë Qeverisë mundësinë të ndërhyjë me masa për të stabilizuar furnizimin me energjencë. Vetëm E Majta komentoi gjendjen duke thënë se shteti nuk po ofron zgjidhje sistematike. Sipas tyre, privatizimi i para njëzet viteve të rafinerisë OKTA ka bërë që kriza aktuale të përjetohet ndjeshëm.

“Nëse rafineria do të ishte në pronësinë tonë, karburantet do të ishin më të lira për rreth 18 denarë. Kjo do t’ju siguronte juve, Qeveri e nderuar, një paqe sociale. Ju do të kishit një gjendje më stabile politike.”, - deklaroi deputeti i Së Majtës, Amar Mecinoviq.

Korrigjimi i fundit i çmimeve të karburanteve nga Komisioni Rregullator i Energjetikës bëri që dizeli të shitet për 2.5 denarë më lirë, gjegjësisht 95.5 denarë për litër. Benzina kushton 82, gjegjësisht 84 denarë për litër.

Qeveria paralajmëroi masa për zbutjen e pasojave, vazhdimin e nivelit të TVSh-së për 10%, si dhe uljen e çmimit të akcizave për dizelin dhe benzinën pa plumb.

Edhe përkundër sigurimit të kryeministrit Hristijan Mickoski se rezervat e vendit nuk janë prekur, ekspertët vlerësojnë se rrjedha e naftës nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit është ulur ndjeshëm.

Kjo shton rrezikun për mungesë globale dhe rritje të çmimeve, madje edhe në tregun vendor. (Meral Ismaili, TVM2)