Maqedoni

Ligji për arsimin e lartë, Mickoski: Me ligjin e ri do t’i mbajmë të rinjtë në vend

16.04.2026 15:22

Qeveria dhe komuniteti akademik në një tryezë të përbashkët biseduan...

Qeveria dhe komuniteti akademik në një tryezë të përbashkët biseduan rreth propozim-ligjit të ri, i cili pritet ta përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë dhe ta fusë atë në Listën e Shangait.
 
Kryeministri Mickoski deklaroi se arsimi për vite me radhë ka qenë objekt i “eksperimenteve” të ndryshme, të cilat, sipas tij, kanë lënë pasoja në cilësinë e tij, prandaj tani nevoja për ndryshime është “e dukshme”.
 
“Për mua është veçanërisht e rëndësishme që Ligji për Arsimin e Lartë krijon kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe ta ndërtojnë rrugën e tyre profesionale dhe jetësore në atdheun e tyre. Për herë të parë, studentët që studiojnë me bursë shtetërore në 100 universitetet më të mira në botë, si dhe studentët më të mirë – fitues të ‘unazës inxhinierike’ ose të shpallur më të mirët në universitetet e tyre – do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore. Po vendoset një model i ri financimi për arsimin e lartë, i cili parashikon që një pjesë e mjeteve të drejtohet për zhvillim, ndërsa një pjesë tjetër të varet nga rezultatet që universitetet do të arrijnë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Janevska: Ofron mundësi për profesorët, shkencëtarët
 
Ministria e Arsimit dhe Shkencës pranoi një pjesë të madhe të vërejtjeve, ndërsa versioni përfundimtar i tekstit, ndër të tjera, do të nënkuptojë autonomi më të madhe dhe financim më të qëndrueshëm për universitetet shtetërore, kritere më të rrepta për avancim në tituj shkencorë, si dhe më shumë mjete për veprimtarinë kërkimore.
 
“Është i domosdoshëm uniteti, sepse ky qëllim, përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë është në fakt edhe një detyrim i vendit në Agjendën e Reformave dhe një përgjegjësi e përbashkët. U takuam me të gjithë, i dëgjuam të punësuarit në universitetet publike, ato private, institucionet shkencore dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve. Pranuam shumë sugjerime konstruktive, ndërsa vërejtjet kritike të komunitetit akademik dhe shkencor ndihmuan shumë në përgatitjen e versionit më të mirë të ligjit.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Mbështetje dhanë edhe rektorët e të gjitha universiteteve. 6 rektorët që morën pjesë në hartimin e propozim-ligjit janë të kënaqur që propozimet e tyre janë pranuar, veçanërisht në pjesën e financimit pesëvjeçar dhe bashkëpunimit më të madh me komunitetin e biznesit.
 
Propozim-ligji i ri pritet të miratohet nga Qeveria deri në fund të muajit, pas së cilës do t’u paraqitet deputetëve në Kuvend.
 
ARMEND MURSELI