Maqedoni

Reforma në specializimet mjekësore, Aliu: Synon përmirësimin e sistemit shëndetësor

16.04.2026 15:56

Reforma e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve në fakultetet...

Reforma e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve në fakultetet e mjekësisë në Shkup, Tetovë dhe Shtip do të fillojë në vitin e ri akademik, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Fokusi kryesor i kësaj reforme është në dy fusha kryesore: mjekësia interne dhe kirurgjia e përgjithshme.
 
Sipas ministrit Aliu, analizat kanë treguar se sistemi ynë shëndetësor ka specialist me profil shumë të ngushtë, dhe me zbatueshmëri të kufizuar dhe me përgatitje praktike të pamjaftueshme, veçanërisht në mjekësinë urgjente dhe në kujdesin intensiv. Sipas tij, ekziston mospërputhje me modelet bashkëkohore evropiane të arsimit, prandaj fokusi primar, sipas Aliut, do të jetë që të ketë ndryshime në mjekësinë interne dhe në kirurgjinë e përgjithshme.
 
“Në pjesën e mjekësisë interne po vendosim trajnime praktike të përforcuara dhe me numrin e orëve më të mëdha, veçanarisht në mjekësinë urgjente dhe kujdesin intensiv. Po përcaktojmë ndërhyrjen minimale praktike, dhe po mundësojmë autonomi më të madhe për specialistët. Qëllimi është që procesi arsimor të krijojë një internist që mund të menaxhojë në mënyrë të pavarur me gjendjen komplekse dhe urgjente në nivelin sekondar të shëndetësisë me përgatitje më të gjera klinike që lidhen me sistemet e shëndetësore.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Aliu po ashtu theksoi se efektet të cilat priten që të arrihen nga ky sistem i ri, janë të shumta. Sipas Aliut, të gjithë studentët të cilat janë deri në vitin e tretë në specializimin me kurikulën e vjetër, ato mund të kthehen në kurikulën e re, ndërsa studentët të cilët janë në vitin e katër apo të pestë, do të vazhdojnë me të njëjtin sistem, siç ka qenë deri më tani.  
 
“Efektet të cilat presim që të arrihen në sistemin shëndetësor nëpërmjet kësaj reforme janë: përmirësimi i qasjes në shërbimet cilësore shëndetësore, ulja e referimeve drejt nivelit tercial të pacientëve, rritja e sigurisë së pacientëve dhe racionalizimi i burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Ndërsa dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë, Nevzat Elezi, falënderoi ministrin për këtë bashkëpunim shumë frytdhënës.
 
“Këshilli mësimor shkencor i Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë ka sjellë vendim pozitiv drejt ndryshimit të kohëzgjatjes dhe mënyrës së specializimeve të mjekësisë interne dhe të kirurgjisë. Ndërsa për specializimet e profesionalizuara e lamë që bashkëpunimi mes tyre, Fakultetit të Shkupit dhe të Shtipit bashkë me atë të Tetovës, të shohin ligjet e mundshme të BE-së dhe të bëhet një harmonizim i ligjeve ekzistuese.”, - u shpreh dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë, Nevzat Elezi.
 
Ministri Aliu po ashtu theksoi se modeli i ri parasheh edhe program njëvjeçar për specialist ekzistues, përkatësisht harmonizimin e tyre me kurikulën e re, si dhe programe dyvjeçare me avancim standard, sipas specializimeve të reja, ku synimi, sipas tij, është kthimi drejt specializimit të gjerë bazik, të subspecializimeve si avancim, dhe balancimi mes specialistëve të përgjithshëm dhe ekspertëve të profilizuar në shëndetësi. 
 
FITIM KRYEZIU