Maqedoni

Tetovë, vazhdon asfaltimi i rrugëve

16.04.2026 16:13

Investimet në infrastrukturën rrugore në Tetovë po vazhdojnë....

Kryetari i komunës, Bilall Kasami, ka përuruar asfaltimin e disa rrugëve në lagjen “Drenovec”. Sipas tij, projekti kap vlerën e rreth 200 mijë eurove dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe kushtet e jetesës për banorët e kësaj zone.
 
“Sot këtu në lagjen “Drenovec” jemi për të promovuar asfaltimin e rrugëve 152, 153, si dhe krahun e rrugës 154 dhe rrugën 155, me një gjatësi totale prej 996 metrash dhe gjerësi prej 5.5 metrash. Bëhet fjalë për një investim që ka kushtuar mbi 12 milionë denarë apo rreth 200 mijë euro. Me këtë projekt po asfaltojmë rrugët edhe në këtë pjesë të qytetit dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve.”, -  deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Në Tetovë mbeten edhe shumë rrugë të tjera që presin ndërhyrje nga komuna. Kasami tha se gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë investimet në përmirësimin e kushteve për qytetarët.
 
“Edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojmë me investime në projekte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rrjetit të ujësjellësit, kanalizimeve, shkollave, çerdheve dhe gjithçkaje që ka të bëjë me infrastrukturën publike.”, - theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Ndërkohë, sipas tij, drejt përfundimit është edhe  bulevardi “Bllagoja Toska”, që lidh nga rrethrrotullimi tek  Kazerma me rrugën rajonale të Jazhincës. Kasami premtoi se ky bulevard do të nisë punimet edhe në pjesën tjetër, nga Shkolla e Mesme Tekstile deri te rrethrrotullimi tek Mema.
 
VISAR SADIKI