Maqedoni

Gjykata Penale, vazhdon gjykimi për Dimitrovskën

16.04.2026 16:30

Ka vazhduar prezantimi i dëshmive për ish-kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit...

Ka vazhduar prezantimi i dëshmive për ish-kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, e cila ngarkohet për dhënien e sekretit zyrtar dhe falsifikim kompjuterik.
 
Ajo në seancën e kaluar deklaroi se nuk ndihet fajtore për veprën për të cilën ngarkohet, ndërsa avokati i saj, Vlladimir Tufekgjiq, theksoi se veprimet e Tatjana Dimitrovskës nuk përmbajnë vepër penale.
 
“Nuk është kontestuese se ka ekzistuar komunikim. Në veprimet e Tatjana Dimitrovskës nuk ka vepër penale, as për dhënien e sekretit zyrtar e as për falsifikim kompjuterik.”, - deklaroi avokati, Vladimir Tufekgjiq.
 
Në këtë lëndë, sipas Prokurorisë, ekzistojnë prova materiale dhe verbale, si dhe analiza të të dhënave të nxjerra nga një telefon mobil, që përfshijnë rreth 250.000 regjistrime elektronike.
 
Ndërkohë, mbrojtja njoftoi se do të propozojë dëshmitarë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe nga Agjencia për Siguri Kombëtare. Përveç Dimitrovskës, të akuzuar janë edhe revizori Mile Stolevski dhe Biljana Petrovska-Manteva, të cilët gjithashtu mohuan fajësinë.
 
Sipas aktakuzës, Dimitrovska akuzohet se i ka zbuluar sekret zyrtar ish-drejtorit të TEC “Negotino”, Nebojsha Stojanoviq, i cili është i akuzuar në lëndën “Aditiv”. Po ashtu, pretendohet se revizori Mile Stolevski, në emër të saj, e ka dhënë provimin për marrjen e certifikatës së sigurisë për qasje në informacione të klasifikuara.
 
FLORIJE KAMBERI