Maqedoni

Seanca për tragjedinë e Koçanit, në gjykim munguan dëshmitarët e planifikuar

16.04.2026 16:47

Asnjëri nga pesë dëshmitarët që duhej të dëgjoheshin në seancën kryesore...

Asnjëri nga pesë dëshmitarët që duhej të dëgjoheshin në seancën kryesore për tragjedinë në diskotekën “Puls”, nuk ka qenë prezentë në sallën gjyqësore të Idrizovës.
 
Siç ka sqaruar prokurorja, për dy nga dëshmitarët ka njohuri se po kalojnë trauma psikike dhe fizike dhe nuk kanë qenë në gjendje të dëshmojnë, e për këtë arsye, gjykata ka lejuar të bëhet ekspertizë psikiatrike.
 
Ndërkohë, dy dëshmitarët tjerë nuk janë të kapshëm për Prokurorinë, për shkak se, siç ka informuar edhe vetë prokurori, njëri është në studime në Bullgari, ndërkaq tjetri me banim në Shkup dhe nuk dihet se ku është, faktikisht për organet e hetuesisë nuk është i qasshëm. 
 
Për këta dy dëshmitarët, gjykata ka vendosur që në seancën kryesore t’u dërgojë thirrje me shkrim dhe të njëjtit të paraqiten në gjykatë. Ndërkaq, nëse organet policore nuk do të mund t’i gjejnë në adresën e tyre, do ta paraqesë situatën si të tillë para organeve të hetuesisë. 
 
Zjarri në Koçan ndodhi më 16 mars, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur janë ulur në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 individë dhe tre persona juridikë. Të akuzuar janë pronarë kafenesh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU