Testimi eksern- gabimet vazhdojnë, mësimdhënësit: Mësohet me tekste të ndryshme

08.06.2015 15:33

Më dhjetë qershor përfundon testimi ekstern për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, edhe pse në fund të testimit për këtë vit nuk kanë përfunduar parregullsitë dhe problemet teknike...

Nxënësit thonë se edhe kësaj radhe hasën në pyetje të palogjikshme dhe gabime të natyrave të ndryshme. Më të shpeshta janë gabimet kur pyetja bëhet në një gjuhë dhe përgjigja jepet në gjuhë tjetër.

“Jam testuar në lëndën arsimi qytetar, kulturë qytetare dhe ka pasur gabime, nga dy përgjigje të sakta dhe kjo mund të ndikojë në notën time, të ulë notën”- tha një nxënëse.

“Në anglisht kam pasur gabime, ndërsa në matematikë pyetja ishte në gjuhën shqipe, kurse përgjigjet në maqedonisht”- theksoi një nxënës.

Përveç gabimeve përmbajtësore dhe tekstuale, problem shtesë është edhe fakti se nxënësit e shkollave të ndryshme nuk mësojnë me libra të njëjtë. Sidomos probleme janë hasur në pyetjet në lëndën e gjuhës shqipe.

“Janë tekstet e ndryshme të gjuhës shqipe, ku merren pjesë nga një test të cilin nxënësit nuk e kanë punuar dhe këto paraqesin vështirësi për nxënësit. Unë do kisha apeluar të bëhet një tekst i përgjithshëm për të gjithë, që të mund të përgjigjen njëjtë të gjithë”- tha drejtori i Sh. F. “Liria”, Talat Sadiku.

Nxënësit ankohen edhe për një tjetër problem. Librat me të cilat mësuan gjatë vitit kanë mungesë faqesh, pasi tashmë në Shkollën “Liria” po përdoren 6 vite radhazi të njëjtat libra dhe ato janë dukshëm të dëmtuar. Kjo u ka penguar edhe gjatë mësimit.

“Kanë qenë librat e zhgarravitur, nuk kemi mundur të mësojmë, me vonesë na kanë sjellë dhe kanë qenë të grisur kapakët”- tha një nxënës.

“Nuk kemi mundur të lexojmë fjalët, sepse kanë munguar faqet, kanë qenë të zhgarravitur”- u shpreh një nxënës.

Nxënësit mbesin me shpresë se vitin e ardhshëm nuk do të hasin në probleme të tilla. Ndërkohë që numri i ankesave pritet të rritet pas shpalljes së rezultateve të testimit ekstern, më 12 qershor. (Flutura Latifi, TVM2)