Maqedoni

Sulme intensive ruse, goditen qytete kryesore në Ukrainë

16.04.2026 17:26

Një valë e re sulmesh intensive ka goditur gjatë natës Ukrainën...

Një valë e re sulmesh intensive ka goditur gjatë natës Ukrainën, duke e kthyer vendin në disa fronte shpërthimesh dhe shkatërrimi. Qytetet kryesore, përfshirë Kyivin, Odesan, Dnipron dhe Sumyn, janë vënë nën goditje të kombinuar me raketa dhe dronë.
 
Autoritetet raportojnë për viktima dhe të plagosur, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa ekipet e emergjencës punojnë në disa zona të goditura. Në Sumy, shpërthime janë raportuar në një pikë karburanti, duke shkaktuar dëme dhe viktima.
 
Ndërkohë, në Dnipro, një sulm i madh me raketa dhe dronë ka lënë të paktën tre të vrarë dhe më shumë se 30 të plagosur. Sipas autoriteteve rajonale, objektiv i goditjeve ka qenë edhe qendra e qytetit, ku janë shënjestruar zona banimi dhe infrastruktura civile.
 
“Ky është gjaku i saj, është i gjithë në dysheme. Në ndërtesën fqinje besohet se dy persona janë vrarë. Ka shumë të plagosur.”, - tha një banore e Dnipros, Nina.
 
“Pashë një burrë të shtrirë; një tjetër u afrua dhe bashkë e tërhoqëm. Në fillim nuk e vumë re personin tjetër, ndërkohë që përpiqeshim të shpëtonim të parin, e pamë një tjetër që kishte rënë pas pompës dhe digjej. U përpoqëm të përdornim fiksen e zjarrit, por ishte e kotë. Ishte i tëri i përkulur dhe i djegur rëndë, nuk mund të bënim më asgjë.”, - u shpreh një banore e Sumit, si dhe punonjëse e pikës së karburantit, Olha.
 
“Ka pasur një shpërthim shumë të fortë. Pastaj një tjetër shpërthim, dhe kishim vetëm pak sekonda për të hyrë në korridor. Kjo ndoshta na shpëtoi, sepse gjithçka u shkatërrua dhe u hodh jashtë.”, - theksoi një banor i Kievit, Serhi.
 
“Në mëngjes armiku goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në apartamente dhe më pas një zjarr, i cili u shua nga zjarrfikësit. Operacionet e shpëtimit dhe të emergjencës po vazhdojnë në vendngjarje.”, - deklaroi Oleksandër Kolosiuk nga Shërbimi i Emergjencave –Odesa.
 
“Dhjetë të plagosur janë shtruar në spital. Pesëmbëdhjetë pacientë kanë marrë ndihmën e nevojshme dhe janë rekomanduar për trajtim ambulator. Dy pacientë janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje mesatare.”, - theksoi drejtori mjekësor i Spitalit në Odesa, Vadim Stoiev.
 
Nga ana tjetër, Moska ka raportuar sulme ukrainase në portin rus të Tuapses që ndodhet në Detin e Zi. Ndërkohë në Berlin u mbajt një takim i Grupit të Kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, deklaroi se vendet partnere duhet të rrisin investimet për të siguruar rreth 60 miliardë dollarë ndihmë mbrojtëse për Ukrainën gjatë këtij viti.
 
Ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes deklaron se planet e disa vendeve evropiane për rritjen e furnizimit të Ukrainës me dronë mund të sjellin pasoja të paparashikueshme dhe përshkallëzim të mëtejshëm të situatës ushtarake dhe politike në Evropë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU