Botë

Lufta në Lindjen e Mesme, Pakistani intensifikon rolin ndërmjetësues

16.04.2026 17:48

Vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme...

Pakistani ka intensifikuar rolin e tij ndërmjetësues në rajon, duke dërguar një delegacion në Teheran për bisedime paqeje dhe më pas i njëjti ka udhëtuar drejt Dohas së Katarit.
 
Paralelisht, edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ndodhet në Xheda të Arabisë Saudite, ku është takuar me Princin e Kurorës, Mohamed bin Salman. Takimet janë pjesë e përpjekjeve diplomatike në vendet e Gjirit për uljen e tensioneve dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka mohuar se ShBA-ja ka kërkuar zgjatjen e armëpushimit dyjavor me Iranin, i cili skadon më 22 prill.
 
Administrata e Presidentit Donald Tramp thotë se bisedimet vazhdojnë në mënyrë produktive dhe se një raund i ri negociatash është ende në zhvillim.
 
“Ne mbetemi shumë të angazhuar në negociata. Këtë javë e dëgjuat drejtpërdrejt nga zëvendëspresidenti dhe presidenti se këto bisedime janë produktive dhe në zhvillim. Ka edhe raportime për mundësinë e takimeve personale, por asgjë nuk është zyrtare derisa ta dëgjoni nga ne këtu në Shtëpinë e Bardhë.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
 
Pas operacionit “Tërbimi epik”, Shtetet e Bashkuara nisën një operacion tjetër financiar të quajtur “Tërbimi ekonomik”. Sekretari i Thesarit paralajmëroi sanksione dytësore për të gjitha vendet, bankat e të cilave mbajnë para të lidhura me Iranin ose blejnë naftë iraniane.
 
Më të prekurat janë institucionet financiare në Kinë, veçanërisht Hong Kongu, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani. 
 
“Irani është ose ishte sponsori më i madh shtetëror i terrorizmit. Kina blinte më shumë se 90 për qind të naftës së tyre, që përbën rreth 8 për qind të nevojave energjetike të Kinës. Besojmë se kjo bllokadë në ngushticë do të ndalojë përkohësisht blerjet kineze.”, - u shpreh sekretari i Thesarit – ShBA, Skot Besent.
 
Më herët, ushtria iraniane kërcënoi se do të bllokojë Gjirin Persik dhe atë të Omanit, si dhe Detin e Kuq, nëse vazhdon bllokada detare amerikane. Presidenti iranian Masud Pezeshkian kritikoi ashpër veprimet e ShBA-së.
 
“Ata sulmojnë shkolla dhe maternitetet në spitale, nuk respektojnë asnjë parim humanitar. Është e turpshme dhe bota duhet ta shohë këtë. Ata pretendojnë se ne jemi terroristë, por ata janë terroristët e vërtetë që masakrojnë kudo dhe kur të duan.”, - theksoi presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
 
Trampi ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve Izrael–Liban. Bejruti sinjalizon se paqja mbetet ende larg realitetit në terren. Ndërsa Tel Avivi pretendon se është i përgatitur për çdo skenar lufte dhe njoftoi vazhdimin e presionit ndaj Hezbollahut.
 
“Po zhvillojmë negociata me Libanin. Këto negociata nuk janë mbajtur për më shumë se 40 vjet. Po ndodhin tani sepse jemi shumë të fortë dhe vendet po vijnë tek ne. Dy objektivat kryesore janë: çarmatimi i Hezbollahut dhe një paqe e qëndrueshme, paqe përmes forcës.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ushtria izraelite ka marrë urdhër të eliminojë të gjithë luftëtarët e Hezbollahut në jug të Libanit, në zonën nga kufiri izraelito-libanez deri te lumi Litani. Ndërkohë vazhdojnë pakënaqësitë në Senatin Amerikan për politikat e presidentit Tramp. Demokratët kanë votuar një rezolutë për kompetencat e luftës.
 
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, ka nxitur senatin të diskutojë kufizimin autoritetit të presidentit Tramp për përdorimin e forcës ushtarake në rajon. Megjithatë, propozimi nuk kaloi, pasi 47 senatorë ishin pro dhe 52 kundër dhe administrata vazhdon të mbajë kontroll të gjerë mbi vendimet ushtarake.
 
FARIJE DAUTI BAKIU