Botë
Cameron kërkon mbështetje për qëndrimin në BE
08.06.2015 16:15
Kryeministri britanik David Cameron kërkoi mbështetjen e ministrave të qeverisë së tij për marrëveshjen me Bashkimin Europian, ose përndryshe ata duhet të japin dorëheqjen...

Reagimi i tij vjen pas takimit me Presidentin amerikan, Barak Obama në samitin e G7, që zhvillohet në Krün të Gjermanisë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Britania e Madhe duhet të mbetet pjesë e Bashkimit Europian.
Duke iu drejtuar ministrave të tij, Cameron tha: "Nëse ju dëshironi të jeni pjesë e qeverisë duhet të keni parasysh se jemi të përfshinë në rinegociim, për të patur një referendum me rezultat të suksesshëm".
Cameron u shpjegoi gazetarëve: "Ne kemi një pikëpamje shumë të qartë; të rinegocionojmë një marrëveshje që është në interesin e Britanisë e Madhe dhe më pas të rekomandojmë që Britania t’i qëndrojë asaj".
Konservatorët euroskeptikë e kanë bërë të qartë se ata janë gati të bëjnë fushatë për votën kundër Bashkimit Europian, nëse Kryeministri dështon në paraqitjen e një pakete që do të sjellë ndryshimin.
Janë të paktën 50 deputetë, përfshirë ish – ministrat e qeverisë, që kanë formuar grupin “Konservatorët për Britaninë” , të cilët vazhdojnë të ushtrojnë presion përpara referendumit të parashikuar, në 2017 – ës.
