Kuvendi i Kosovës, Ligjet e energjisë përplasin pushtetin dhe opozitën
Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për energjinë elektrike...

Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për energjinë elektrike nuk u përfshirë në rend të ditës në seancën Kuvendore, pasi deputetët opozitarë nuk pranuan që këto dy projektligje të përfshihen me procedurë të përshpejtuar. Paraprakisht pati edhe kritika dhe përplasje mes ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe deputetëve opozitarë.
“Sot i tërë globi temë adekuate e ka energjinë, deri në shkallën e luftërave frontale për burime energjetike dhe asetet e tyre. Ndërsa ne sot, në vend që ta kemi temë debati mënyrën e organizimit, menaxhimit, daljen nga kjo krizë globale, maksimalizimin e resurseve tona, harmonizimin me politikat vërtet reale zhvillimore të vendit, në rend të parë e pastaj me institucionet tjera ndërkombëtare, ne na sillet një paketë e ligjeve ku komplet baza juridike, ekonomike, organizative e sektorit, centralizohet.”, - deklaroi Ferat Shala nga PDK.
“E kundërshtojmë absolutisht mënyrën e tillë të imponimit të ligjeve në seanca të rregullta, në mënyrë jashtë procedurave të rregullta.”, - theksoi Jehona Lushaku nga LDK.
Por, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e arsyetoi nevojën e miratimit të ligjeve me procedure të shpejtë, pasi tha se Kosova i humb nëntë milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së. Ajo theksoi se ligjet është dashur të miratohen në fund të vitit 2024, por nuk ka pasur Kuvend funksional për t’i miratuar.
“Ligjet që i keni para jush në fakt e rrisin konkurrencën në treg, mbrojnë konsumatorët në treg dhe rregullojnë pakon e pastër të BE-së, obligim që e kemi marrë në fund të vitit 2022, ndërsa në fund të vitit 2024 e kemi pasur afatin për të miratuar këto ligje. Ne në nëntor 2024 ligjet i kemi pasur gati si qeveri, por nuk ka pasur një kuvend që ka mundur t’i miratojë.”, - deklaroi minisitrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Pas fjalimit të ministres sërish e dëshironte fjalën deputeti Shala, i cili doli në foltore pa iu dhënë fjala nga kryeparlamentarja Haxhiu, gjë që shkaktoi tensione në Kuvend.
“Uluni në vend. Kur ta jap fjalën e merrni fjalën, përndryshe nuk ke me marr fjalën dhe nuk ka të bëjë aspak me inate, por me respekt të institucionit. Duhet të mësohesh ta respektosh institucionin.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Ia ke përmend emrin zonja ministre, ju ke referuar zotit Ferat Shala, ktheje dhe shikoje. Por, po e tejkalojmë këtë, por mos të bëhet praktikë, sepse pastaj nuk kemi mbarëvajtje të mirë të punës së Kuvendit.”, - u shpreh kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Më pas projektligjet u nxorën në votim, por nuk morën përkrahjen e deputetëve opozitarë, prandaj nuk u futën në rend dite. (Gyltene Sinani, TVM2)
