Ligji për arsim të lartë, Mickoski: Ata që kundërshtojnë ligjin nuk duan të punojnë

17.04.2026 14:54

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski...

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, deklaroi se të gjithë ata që janë kundër Ligjit për arsimin e lartë, në thelb kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj akademikë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me pritjet nga ky ligj, ai theksoi se një pjesë e punësuarve në universitete nuk duan të punojnë, por kërkojnë paga të larta. Sipas tij, Qeveria tashmë ka rritur pagat për punonjësit universitarë si rezultat i Marrëveshjes Kolektive, madje duke i dyfishuar ato.

Ai kritikoi ashpër ata që e kundërshtojnë ligjin, duke i quajtur “spekulantë politikë”, që, sipas tij, manipulojnë opinionin publik me pretendime se ligji cenon autonominë universitare.

“Të gjithë ata spekulantë politikë që publikisht thoshin se janë kundër ligjit, duke pretenduar se në këtë mënyrë po cenohej autonomia, në fakt improvizojnë dhe manipulojnë. Pse? Sepse dje panë rektorët e universiteteve shtetërore duke e mbështetur atë. Në thelb, ata kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj. Deri tani kemi punuar sipas Ligjit të vitit 2018. Dhe universiteti ynë më i vjetër dhe më i njohur, do të thosha, “Shën Kirili dhe Metodi”, në listën e Shangait ka rënë për 1.000 vende. Madje nuk e di as nëse është fare i renditur. Dikur ka qenë i renditur. Tani ata duan të punojnë një ditë në javë. Duan paga 120-150 mijë denarë, por nuk duan të shkruajnë as edhe një punim në vit, që është puna e tyre, një punim. Nuk duan të shkruajnë asnjë punim.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se gjatë procesit të hartimit të ligjit janë marrë parasysh edhe sugjerimet nga fakultetet e arteve. Sipas saj, ligji tashmë është finalizuar dhe pritet të hyjë në procedurë qeveritare.

“Arritën sugjerime të caktuara nga fakultetet e arteve. Unë dhe ekipi kishim takim me dekanët e tre fakulteteve të arteve pranë  Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi", u dakorduam për një ndryshim që vlerësuam, jo vetëm unë, por edhe i gjithë ekipi dhe kërkesa e tyre ishte e arsyeshme. Dje në Qeveri ku kishim takim me shtatë rektorë dhe numër të pranishëm të profesorëve nga të gjitha universitetet në vend, Ligji tani më është mbyllur dhe do të jetë në procedurë qeveritare.”, - u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar kategorikisht këtë propozim-ligj për arsimin e lartë, duke vlerësuar se ai nuk sjell reforma, por hap rrugë për goditje të reja ndaj universiteteve shqiptare.

Sipas tyre, ligji nuk bazohet në parime të barazisë, meritës dhe zhvillimit, por në padrejtësi, kontroll dhe kalkulime politike. 

“Deputetët e Aleancës për Shqiptarët nuk do ta votojnë këtë ligj në këtë formë. Ftojmë çdo deputet shqiptar që të mos bëhet pjesë e një ligji që dëmton universitetet tona, cenon të drejtat tona dhe rrezikon të ardhmen akademike të shqiptarëve. Asnjë dorë shqiptare nuk duhet ta votojë këtë ligj”, thuhet në reagim.

Ligji i ri parashikon forcim të kritereve për avancim në titujt e fakulteteve, por edhe obligime të reja për publikime të punimeve shkencore me faktor impakti. (Florije Kamberi, TVM2)