Deklarimet e Mickoskit ndaj opozitës, LSDM dorëzon kallëzim penal kundër Mickoskit

17.04.2026 15:11

LSDM dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Publike...

LSDM dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Publike kundër kryeministrit Hristijan Mickoski, për, siç thonë, trysni ndaj gjyqësorit,  duke paralajmëruar publikisht përndjekje penale kundër opozitës, targetuar njerëz konkret nga opozita dhe familjarë të tyre me aktakuza të përgatitura paraprakisht.

Socialdemokratët kërkojnë nga prokuroria të dëshmojë se kryeministri nuk është mbi ligjin.

“LSDM sot ngriti kallëzim penal kundër Hristijan Mickoskit për veprat penale si në vijim: Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, shkeljen e barazisë së qytetarëve dhe rrezikim të sigurisë. Kërkojmë nga Prokuroria Publike të veprojë menjëherë mbi akuzat penale, të marrë në pyetje Mickoskin dhe të parandalojë rrezikimin e mëtejmë të rendit ligjor. Prokuroria të dëshmojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se mund të veprojë në mënyrë të pavarur dhe jo vetëm me porosi.”, - deklaroi Aleksandar Sasha Dimitrjeviq nga LSDM.

Filipçe njofton institucionet evropiane, Kryeministri përforcon qëndrimet e tij

Paraprakisht edhe kryesocialdemokarti Venko Filipçe drejtoi letra zyrtare deri tek BE-ja, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, raportuesi për Maqedoninë, si dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për prishjen serioze të rendin demokratik dhe kushtetues, ndarjen e pushteteve dhe sundimin e së drejtës në vend.

Në letër në mënyrë të drejtpërdrejtë apostrofohet kryeministri Mickoski për paralajmërimet me kërcënime ndaj opozitës për përndjekje politike.

“Kjo deklaratë për revanshizëm politik përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pluralizmit demokratik. "Ndjesia" e tij se do të pasojnë veprime konkrete është tregues i qartë i kontrollit mbi prokurorinë dhe gjyqësorin, pra përgatitjen e gjyqeve të manipuluara politikisht. Mickoski i kthen institucionet shtetërore në një instrument të llogaritjes partiake, ndërsa në të njëjtën kohë i përdor ato si një mburojë mbrojtëse për strukturat e veta.”, thekson në letër kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Me gjithë zhvillimet kundrejt tij, kryeministri Hristijan Mickoski ripërsërit se ndjesitë e tij për përndjekje penale mbeten të palëkundura. Ai nuk ia mohon të drejtën opozitës që të ketë komunikime me ndërkombëtarët.

“Gjithkush e ka të drejtën të shkruajë dhe të dërgojë letra, por ndjesitë e mia janë më të fuqishme.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

Kryeministri Mickoski ditë më parë deklaroi se ka ndjesi, jo informacione, se shumë shpejt ish-funksionarë të lartë të LSDM-së do të përfshihen në përndjekje penale. Kjo trazoi ujërat politike, duke nxitur kundër reagime të shumta. (Meral Ismaili, TVM2)