Maqedoni
LSDM: A u dorëzua kërkesë për ekstradim të Gruevskit?
17.04.2026 16:19
LSDM-ja opozitare ka pyetur Qeverinë nëse po i përgatit dokumentet...

LSDM-ja opozitare ka pyetur Qeverinë nëse po i përgatit dokumentet për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria.
“Ministria e Drejtësisë para disa ditësh njoftoi se do të kërkojë të gjitha dosjet nga organet kompetente gjyqësore dhe prokuroritë për të gjitha rastet që lidhen me Nikolla Gruevskin dhe se “do të veprojë në përputhje me dispozitat pozitive ligjore”. Deri ku është procedura? A i ka përgatitur Qeveria e Hristijan Mickoski dokumentet? A është dorëzuar kërkesa për ekstradimin e Gruevskit? Ndërkohë që institucionet në Maqedoni “mbledhin dokumente”, shtete të tjera tashmë po veprojnë. Pas deklaratave të Peter Magyar se nuk do të ketë më mbrojtje për kriminelët në Hungari, Polonia nuk priti, por reagoi menjëherë dhe tashmë ka dërguar kërkesë zyrtare për ekstradimin e politikanëve të saj. Vetëm Qeveria e udhëhequr nga Mickoski ende nuk ka dorëzuar kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit.”, theksojnë nga LSDM, sipas së cilës Qeveria po blen kohë dhe procedura po zvarritet qëllimisht.
VMRO-DPMNE: Në vend të reformave, LSDM merret me vende tjera
Gruevski nuk do të marrë azil në Turqi, por tashmë po negocion për opsione të tjera, si Rusia dhe Bjellorusia. Në të njëjtën kohë, Gordana Siljanovska Davkova ndodhet në Turqi, për ta shpëtuar Mickoskin dhe Gruevskin, thonë nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se në vend që të reformohen, LSDM dhe Venko Filipçe janë fokusuar në zgjedhje dhe zhvillime në shtete të tjera.
“Filipçe dhe LSDM nuk e shohin “oborrin” e tyre të mbushur me dështime dhe humbje, si dhe partinë që po dobësohet gjithnjë e më shumë, por gjithë fokusin e kanë të drejtuar te zgjedhjet në një shtet tjetër, ku partia e tyre simotër fitoi vetëm një përqindje minimale prej 1% të votave. Sipas udhëzimeve të strategëve, në një periudhë të shkurtër kohore, Filipçe dhe LSDM arritën të prishin marrëdhëniet me bashkëpartiakët e tyre, me media dhe gazetarë, ndërsa tani po përpiqen të përplasen edhe me shtete ose përfaqësues të tyre në vend. Ky dezorientim, mungesë legjitimiteti, rejting i ulët dhe distancimi i ish-funksionarëve nga partia, i shtyn LSDM-në dhe Filipçen të ndjekin politika kundër shtetit, të cilat nuk janë në interes as të shtetit dhe as të vetë atyre.”, theksojnë nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se politikat kundër shtetit, që Zaevi duket se ua ka lënë si “amanet”, Filipçe dhe LSDM po i zbatojnë fjalë për fjalë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
