Botë
Armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit, Tramp: Hiqet pengesa për bisedimet me Iranin
17.04.2026 17:10
Me fishekzjarre dhe brohoritje gëzimi në rrugët e Bejrut hyri në fuqi armëpushimi...

Me fishekzjarre dhe brohoritje gëzimi në rrugët e Bejrut hyri në fuqi armëpushimi mes Israelit dhe Libanit. Pavarësisht armëpushimit, trupat izraelite do të mbeten në zonën e sigurisë në jug të Libanit, gjë që bie ndesh me kërkesat e Hezbollahut.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u shpreh se kjo është një ngjarje historike. Ndërkohë, opozita izraelite shprehu shqetësim se marrëveshja mund t’i japë hapësirë kësaj organizate për të forcuar më tej pozitat e saja.
“Ne kemi një mundësi për të arritur një marrëveshje historike paqeje me Libanin. Presidenti Donald Tramp synon të më ftojë mua dhe presidentin e Libanit për ta avancuar këtë marrëveshje. Kjo mundësi ekziston sepse nga lufta në Gazë kemi ndryshuar në mënyrë thelbësore balancën e fuqisë në Liban.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
OKB-ja e mirëpriti vendimin e Tel Avivit dhe Bejrutit. Ndërsa Rusia shprehu dyshime për respektimin e këtij armëpushimi.
“Ne i mirëpresim hapat që do t’i jepnin fund armiqësive dhe vuajtjeve në të dy anët e vijës blu. Kombet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin këto përpjekje dhe vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit, drejt një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një zgjidhjeje afatgjate.”, - theksoi zëdhënësi i sekretarit të OKB-së, Stefan Dujarriq.
“E mirëpresim vendimin për një armëpushim dhe shpresojmë që gjatë këtyre pak ditëve të jetë vërtet e mundur të arrihen marrëveshje që do të parandalojnë përsëritjen e përplasjeve ushtarake.”, - u shpreh zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Dmitri Peskov.
Megjithatë, vetëm disa orë pas shpalljes së armpushimit, ushtria libaneze akuzoi Izraelin për “shkelje” të marrëveshjes. Tre sulme të njëpasnjëshme izraelite kanë vrarë disa pjesëtarë të ndihmës së shpejtë në qytetin Nabatieh që ndodhet në jug të Libanit. Irani nga ana tjetër shprehet se nuk ka armëpushim të plotë mes ShBA-së dhe Iranit, pa përfshirjen e Libanit.
“Kur diskutojmë përmes Pakistanit me Amerikën për të pranuar armëpushimin, u kemi thënë se duhet të përfshijë gjithçka në rajon dhe kjo tregon deri në çfarë vijash, prej në Liban deri në Detin e Kuq. Pra këto janë vijat tona të kuqe. Ne nuk pranojmë armëpushim të përkohshëm, sepse ky cikël i mbrapshtë i përdorimit të diplomacisë për të lodhur diplomacinë dhe pastaj fillimi i një lufte duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.”, - u shpreh zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Saed Khatibzadeh.
Sipas presidentit amerikan Donald Tramp, armëpushimi në Liban heq një pengesë të madhe për bisedimet më të gjera të paqes me Iranin.
“Nuk dua të spekuloj. Nuk dua të flas para kohe. Por, po ecim shumë mirë. E keni vënë re që po ecim me shumë sukses dhe do të them se lufta me Iranin po shkon pa probleme. Mund të bëjmë çfarë të duam dhe duhet të përfundojë së shpejti. Ka qenë dhe është perfekte.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi përpjekjet për paqe në Islamabad dhe deklaroi se ekziston mundësia që ai personalisht të udhëtojë në Pakistan për të nënshkruar një marrëveshje paqeje për përfundimin e konfliktit me Teheranin. Një raund i ri bisedimesh të drejtpërdrejta mund të zhvillohet gjatë fundjavës.
Trampi vlerësoi se një marrëveshje e mundshme do të kontribuonte në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, gjë që do të kishte ndikim pozitiv në tregun global të energjisë.
FARIJE DAUTI BAKIU
