Marshi protestues, edhe Zijadin Sela i thotë jo iniciativës së “Besës”

08.06.2015 16:44

Lëvizja për Reforma në PDSh solli vendim për të mos e përkrahur protestën e 13 qershorit të thirrur nga Lëvizja “Besa”...

Lëvizja e Zijadin Selës vazhdon të jetë e hapur për bashkim të mirëfilltë opozitar. Kjo nënkupton përkrahjen e çdolloj iniciative të opozitës shqiptare, por vetëm me kusht që iniciativat më parë të konsultohen në një tryezë të përbashkët, thonë nga kjo lëvizje.

“Sqarojmë opinionin se vendimet autonome të cilitdo qoftë subjekt politik apo lëvizje janë çështje e brendshme e subjekteve përkatëse, por vendimet autonome që më pas shndërrohen në kërkesë për gjithpërfshirje i cilësojmë si një element që do të minonte procesin e bashkimit të opozitës shqiptare. Shqiptarët në Maqedoni tanimë e kanë të qartë kë duhet të luftojnë politikisht dhe bajraktarizmat do e çonin bajrakun te ata që nuk zgjedhin mjetet për të pamundësuar progresin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni”- thonë  nga Lëvizja për reforma në PDSh pas takimit të kryesisë qendrore, ku është vendosur për mospjesëmarrje në protestat gjithëshqiptare të 13 qershorit të thirrura nga Lëvizja “Besa”.

Një përgjigje të ngjashme të premten “Besës” ia dha edhe RDK. Madje nga partia e Vesel Mehmedit akuzuan “Besën” se ka shkelur besën, pasi më herët në Prishtinë partitë dhe lëvizjet e vogla ishin marrë vesh se tani nuk është koha e duhur për protesta.

Iniciativën e lëvizjes “Besa” për protesta deri tani e ka përkrahur vetëm PPD. (Shpëtim Nuredini, TVM2)