Maqedoni

Takimi në Bruksel, KE pret të gjithë liderët

08.06.2015 17:09

Komisioni Evropian i ka bërë të gjitha përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, i cili do të realizohet të mërkurën...

Komisioni Evropian i ka bërë të gjitha përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, i cili do të realizohet të mërkurën, ku pritet të marrin pjesë liderët e partive politike.
 
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçinçiq, pohon se momentalisht Komisioni Evropian është i fokusuar në detajet e marrëveshjes mes partive politike, me të cilat do t’i jepej fund krizës politike në Maqedoni.
 
Sipas saj, për disa pika tashmë veç është arritur pajtueshmëri mes palëve, por në takimin e radhës pritet që në tavolinë të diskutohet edhe për çështje të cilat nuk janë prekur në takimet paraprake.
 
Koçiançiq thotë se KE i pret të gjithë liderët të mërkurën. 
 
“I presim liderët e partive politike të marrin pjesë në këtë takim. Është e rëndësishme të gjithë liderët të jenë prezent. Sa i përket detajeve nga marrëveshja, edhe komesari Hahn personalisht ka sqaruar se për disa çështje është biseduar dhe tashmë janë marrë vesh, por ekzistojnë edhe shumë punë të caktuara për të cilat për herë të parë do të diskutohet ditën e mërkurë”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Koçiançiq.
 
Sipas të dhënave të deritanishme nga burimet e Komisionit Evropian, pritet që me marrëveshjen që do të arrihet pasnesër të konkludohet për të gjitha pikat që kanë shkaktuar krizë politike në vend, për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për vendimin politik dhe gjyqësor për aferën “Puç” dhe për përgjimet.
 
Të premten e kaluar, eurokomesari Hahn nga Uashingtoni përsëriti edhe njëherë se nëse Maqedonia nuk do të zgjidh krizën deri në fund të muajit qershor, ka mundësi vendi të humb rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU