Maqedoni

Ivanov: BE të përmirësojë gabimin, nëse nuk na ndihmon, ka njësoj faj sa Greqia

08.06.2015 17:19

Pjesëmarrësit e Samitit të Presidentëve të "Procesit Bërdo¬Brioni" nga Budva e Malit të Zi, kërkuan që BE ta kthejë në agjendën e saj procesin e zgjerimit...

Madje, ata kërkuan që me këtë çështje të mos merret vetëm Komisioni Evropian, por edhe Këshilli i Evropës.
 
Në vijë të njëjtë ishte edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili madje kërkoi që BE t’i plotësojë vakuumet e sigurisë në Evropë, sepse, siç tha ai, ato mund t’i plotësojë edhe dikush tjetër.
 
“Është koha që NATO dhe Bashkimi Evropian të sjellin vendime të guximshme. Është koha që BE-ja ta përmirësojë gabimin e saj ndaj Maqedonisë. Tani është koha që BE-ja të na ndihmojë të përmirësojmë dobësitë që i kemi. Është koha e fundit që BE-ja dhe NATO t’i plotësojnë vakuumet e sigurisë në Evropë, sepse nëse nuk i plotësojnë ato, forca dhe aktorë të tjerë do ta bëjnë atë, sepse nuk ekziston vakum në hapësirën gjeopolitike”- deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Që të tejkalohet situata ku gjendet Maqedonia, Ivanov kërkoi që kontesti me emrin të jetë i fundit në kapitullin 35.
 
"Në rastin me Maqedoninë kërkoj të largohet pengesa kryesore që qëndron në rrugën e integrimeve. Kërkoj që çështja për emrin, si dallim bilateral mes Maqedonisë dhe Greqisë, të jetë e fundit, kapitulli i 35¬-të në negociatat për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Nëse BE-ja nuk ndihmon që ta heqim pengesën për integrimet, respektivisht me marrje, kushtëzim, ngrirje të rekomandimit, BE do të jetë drejtpërdrejtë fajtor për përkeqësimin e gjendjes në Maqedoni, e me këtë edhe në rajon"- theksoi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Në samit, krahas presidentit maqedonas, Ivanov, ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, i Austrisë, Hajnc Fisher, Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, Sllovenisë, Borut Pahor, Serbisë, Tomislav Nikoliq, si dhe kryesuesi me Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës, Mladen Ivaniq.
 
GYLTENE SINANI